Tiktok reagon për mbylljen në Shqipëri nga Rama: Duam sqarime sepse dy adoleshentët nuk kishin llogari tek ne
Kompania kineze e rrjetit social, TikTok tha se do të kërkojë sqarime urgjente nga qeveria shqiptare lidhur me vendimin për mbylljen e platformës TikTok për një vit në Shqipëri.
Në një reagim për Associated Press kompania e rrjetit social, TikTok tha se "nuk kishte gjetur ndonjë provë që autori ose viktima të kishte llogari TikTok dhe se raportimet e shumta kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë tragjedi ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok."
Fëmijët shqiptarë përbëjnë grupin më të madh të përdoruesve të TikTok në vend, sipas studiuesve vendas.
Sipas vendimit të bërë të ditur dje nga kryeministri Edi Rama prej janarit të 2025 platforma e TikTok nuk do jetë e aksesueshme në territorin e Shqipërisë nga asnjë moshë, si pjesë kjo e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla. Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me armë të ftotë të 14 vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës 'Fan Noli', gjatë një konflikti me një tjetër nxënës po i kësaj shkolle, ndodhur më 18 nëntor 2024.
Platforma fajësohet për nxitje të dhunës dhe bullizmit, veçanërisht midis fëmijëve.