Aktualitet

Tirana me 10 grupe të reja epidemiologësh për situatën vjeshtë-dimër: Ka rritje të të infektuarve

Tirana me 10 grupe të reja epidemiologësh për situatën

Janë shtuar 10 grupe të reja epidemiologësh në Tiranë për të përballuar rritjen e infektimeve, dhe sezonin vjeshtë-dimër. Këtë deklaroi ministrja Manastirliu gjatë takimit me ekipin e epidemiologëve të Tiranës. Ministrja e Shëndetësisë tha se shtimi i grupeve po bëhet për shkak të rritjes së të infektuarve dhe nevojës për gjurmimet e kontakteve: 

“Kemi një rritje të numrit të infektimeve, në Tiranë kryesisht por edhe në disa qarqe të tjera të vendit, si Durrësi, Lezha, Kukësi, kryesisht qarqet e veriut janë ato të cilat kanë një numër më të rritur të infektimeve, ndaj kemi forcuar kapacitetet. Përpos rritjes aktuale me 30% të ekipeve të terrenit do të shtojmë edhe 10 ekipe të reja dhe të mund t’ja dalim në këtë sfidë të parë të vjeshtë dimrit”.

Sipas ministres, kapacitetet e testimit janë rritur me 3 herë, dhe se ndër prioritetet kryesore janë shkollat, mësuesit dhe nxënësit, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

“Testimet janë rritur me 3 herë krahasuar me muajin Qershor, sigurisht kjo falë punës që epidemiologët kanë bërë, kapaciteteve të shtuara të Instituit të Shëndetit Publik, por edhe punës në terren, sepse ashtu sikurse ne e kemi thënë, testimi pa gjurmimin dhe pa izolimin do të ishte vetëm një hallkë, por nuk do të ishte plotësim rigoroz i strategjisë për kufizimin e përhapjes së infeksionit”.

Ministrja tha se stafet mjekësore do të marrin një bonus special deri në ditën e fundit të pandemisë: 

“Dua që t’ju siguroj që mbështetja e qeverisë do të vijojë. Bonusi special për çdo epidemiolog, për çdo mjek, për çdo infermier në përballje me Covid19 në vijën e parë të frontit do të vijojë. Degjojmë që ka propozime tani, se fillon fushata dhe premtimet, 6 muaj bonus për mjekë, infermierë. Ne kemi 8 muaj që mbështesim mjekët, infermierët, epidemiologët, dhe do t’ju mbështesim deri në ditën e fundit të kësaj epidemie me bonusin special dhe ndërkohë që nga viti tjetër do të bëhet realitet rritja historike e pagave 40 % për punonjësit tanë shëndetësorë”, tha Manastirliu.