Aktualitet

TKOB jashtë varësisë nga shteti! Ministrja Margariti mohon ta ketë thënë, reagon vajza e Feim Ibrahimit

TKOB jashtë varësisë nga shteti! Ministrja Margariti mohon ta

Ministrja e Kulturës Elva Margariti në datën 23 shtator zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me drejtoreshën e Teatrit të Operës Zana Çela dhe stafin artistik në godinën e restauruar të TKOB-së.

Thuhet që disa artistë thanë pas këtij takimi se brenda ishte diskutuar për varësinë ose jo të Teatri të Operas dhe Baletit dhe se ministrja iu kish thënë në takim: 'Unë mendoj që TKOB duhet të dalë jashtë skemës së kësaj varësie totale nga shteti. Në asnjë vend tjetër jo vetëm në Europë, nuk gjejmë formula të tilla'.

Qarkullon një video e xhiruar ndoshta fshehurazi ose me dijeni, ku dëgjohet vetëm kjo fjali.

Nuk e dimë nëse është një fjali e keqkuptuar apo e ndërtuar gabim, pa dashje apo e mirëmenduar, por kjo deklaratë solli reagime.

Komuniteti i artistëve që punojnë pranë TKOB i dërguan disa pyetje ministres:

1. Për çfarë ndryshimi e kishte fjalën ministria e Kulturës sa i përket varësisë së institucionit? Nëse jo një shkëputje totale nga ministria e Kulturës, a do të ketë palë të treta që do vendosin për fatin e Operës?

2. Njoftimi që tenton të sqarojë pa argumente dhe pika plani konkrete shtyn ne mendje modelet e huaja të menaxhimit, ndonëse shumë prej tyre kanë pika të mëdha ndryshimi. Kë model do të marrë ministrja e Kulturës për referim?

3. Në njoftimin e ministrisë së Kulturës sugjerohet që TKOB duhet të kthehet në polin referues për të gjithë rajonin. A nënkupton me këtë që me promovimin e artistëve të rajonit do të vijnë prej këtyre vendeve edhe fonde shtesë. Por si do të ndikonte kjo në hapësirën dedikuar prodhimtarisë artistike vendase (e vakt dhe në këto kushte) dhe artistëve vendas?

4. Ministrja flet për rritjen e konkurrencës, dhe mbështetjen e artistëve të rinj. Sipas njoftimit, konkurrenca rritet në aspekt rajonal, çka sjell si pasojë më pak hapësirë për talentet vendase.

5. Së fundmi, në njoftimin e ministrisë thuhet se këto ndryshime ende të paqarta do bëjnë që fitimet e Operas të mos kalojnë me në arkën e shtetit, por t’i mbeten institucionit. Nëse nuk do të jetë më opera që kalon fitimet vetëgjeneruese në buxhetin e shtetit, si pritet të zëvendësohen ato, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, ku kriza po kalbëzon rrënjët e sistemit të mbajtur për 65 vite?

Debati ka përfshirë edhe pianisten e njohur, Etrita Ibrahimi, vajza e kompozitorit Feim Ibrahimi- i njohur si një nga themeluesit e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Ibrahimi thotë se artistët po akuzohen për trilli kur ministria thotë: 'Ministria e Kulturës fton opinionin publik dhe komunitetin e artistëve të kthejnë vëmendjen tek faktet dhe të vërtetat e prekshme të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke iu larguar dizinformimit dhe hamendësimeve të pabazuara, deri në trillime, mbi një të ardhme të TKOBAP jashtë strukturave të Ministrisë së Kulturës'.


Ministria e Kulturës shpërndau për mediat një reagim në Facebook ditën e djeshme ku tregonte se e ardhmja e TKOB jashtë strukturave të Ministrisë së Kulturës janë hamendësime dhe trillime. Dhe se nuk ka plan që TKOB të shkëputet nga varësia e Ministrisë së Kulturës.

Reagimi nga ministria e Kulturës:

'Ndërsa me padurim presim ditën kur me të parën shfaqje të përurojmë ambientet e rikonstruktuara, të nxjerra nga harresa shumëvjeçare, Ministria e Kulturës fton opinionin publik dhe komunitetin e artistëve të kthejnë vëmendjen tek faktet dhe të vërtetat e prekshme të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke iu larguar dizinformimit dhe hamendësimeve të pabazuara, deri në trillime, mbi një të ardhme të TKOB jashtë strukturave të Ministrisë së Kulturës.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është jo vetëm një nga institucionet publike më prestigjioze, por dhe lider në jetën artistike në vend. Kërkesat dhe problematikat e shprehura herë pas here si në nivel institucional, nga trupat e teatrit, ashtu edhe nga komuniteti i gjerë i artistëve, kanë vënë në dukje nevojën për të hulumtuar modele të suksesshme, për rritjen e kapaciteteve financiare, njëkohësisht me rritjen e standardeve të aktivitetit artistik dhe produksioneve të të gjitha zhanreve.

Nga ana tjetër, një nga misionet e Ministrisë së Kulturës është nxitja dhe promovimi i talenteve të reja. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në vite të drejtuesve të këtij institucioni, për të përfshirë në produksionet e tyre të rinj të talentuar, kjo ka qenë e vështirë, pikërisht nga mungesa e të ardhurave dhe strukturave të kufizuara.

Mbështetja e talenteve të reja dhe rritja e konkurrencës është një aspekt i shëndetshëm, i cili do të kontribuonte drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë artistike të institucionit.

Synimi i Ministrisë së Kulturës është që skena e TKOBAP të kthehet ne polin artistik referues, jo vetëm për hapësirën shqipfolëse, por edhe për vendet e rajonit. Kishte ardhur koha, që në shtëpinë e operës të ndodhte një ndryshim rrënjësor. E nisëm rrugëtimin tonë me investime në infrastrukturë, për të pasur një teatër të denjë për emrin që mban, atë të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Vazhduam me rishikimin e kuadrit ligjor dhe ekonomik të tarifave dhe çmimeve të reduktuara për kategori të ndryshme shoqërore.

Benefitet financiare që duhet të përfitojë “shtëpia” kombëtare e artit, kërkojnë rishikime të mëtejshme të kuadrit ligjor, që do të mundësojnë që, fondet e vetëgjeneruara të mbeten në arkën e Teatrit, në shërbim të artistëve dhe cilësisë artistike.

Si shembuj reference po merren modelet më të suksesshme të teatrove nacionalë europianë, për të pasur një kuadër sa më të plotë të skemave të qëndrueshme. Aktualisht, të ardhurat e gjeneruara si nga biletat ashtu edhe nga përdorimi afatshkurtër i ambienteve të Teatrit, shkojnë në masën 70% në arkën e shtetit dhe vetëm 30% në atë te TKOBAP.

Pandemia, kjo krizë e madhe botërore vendosi sfida të reja, por nxori në pah edhe më fort, rolin kyç që ka shteti në skemat menaxheriale të teatrove në mbarë botën. Ministria ka qëndruar e do qëndrojë gjithmonë një institucion me dyer të hapura për debatin konstruktiv dhe gjithmonë e distancuar nga dizinformimet dhe keqinterpretimet e fakteve.

Pjesë e reagimeve u bë edhe pianistja Etrita Ibrahimi e cila në një postim në Facebook thotë se ndihet e fyer:

Reagimi i saj i plotë:

Drejtuar Ministrise se Kultures, ne lidhje me deklaraten e saj per shtyp...! Se pari, faleminderit per pergjigjen qe ju kerkuam publikisht.

Se dyti, deklarata juaj eshte krejtesisht e paqarte, duke kaluar nga nje cep ne tjetrin, duke shkruar fjale te shumta, ndoshta me shpresen qe sasia e tyre t'u marre mendjen lexuesve dhe duke bere lojera fjalesh, pa sqaruar vertet problemin qe shkaktoi reagim tek disa prej nesh qe kemi guximin te flasim ne media. Thjesht jeni munduar te "ngjiteni ne xhama", duke perdorur perkthimin e shprehjes italiane "vi siete arrampicati sui vetri"... asgje me shume se kaq...!

Se treti, keni fyer inteligjencen dhe personin tim (natyrisht edhe te kolegeve te mi, por jam e detyruar te flas vetem per veten ne kete rast), sepse hamendesime dhe trillime une nuk bej kurre, pasi quhem Etrita Ibrahimi dhe i perkas nje familjeje dhe nje shtrese intelektuale tejskajshmerisht te ndershme (term fatkeqesisht arkaik ne territorin shqiptar tashme), e cila me ka rrenjosur ne mendje qe vetem e verteta te ben njeri dhe nuk kam shpikur ndonjehere per askend dhe asgje, ne kete gjysemshekullin e jetes sime!Fatmiresisht nuk i perkas as ndonje partie dhe nuk jam e verbuar as nga qellime perfitimesh politike, prandaj kur shprehem, shprehem me bindje te plote dhe ne mbrojtje te asaj qe eshte jeta ime dhe per te cilen edhe im ate,

Feim Ibrahimi , luftoi ne te gjithe ekzistencen e tij: Muzika...dhe Kultura dhe kjo nuk do te ndryshoje asnjehere. Se fundmi, do te kishte qene me e ndershme nga ana juaj, qe te kishit deklaruar se ka qene nje "qui pro quo", pasi ministrja nuk e ka shpjeguar siç duhet konceptin e saj per menaxhimin e ardhshem te teatrit (kur tha qe teatri duhet te dale nga varesia totale nga shteti), qe ka gabuar kur tha qe nuk ekzistojne ne bote teatro qe varen nga shteti, etj., etj.

Fjalet e saj jane ne kete video, me ze dhe figure dhe nuk jane trillim i askujt...! Nese doni nje teater qe te mos jete ne varesine e shtetit, hapeni...jam e para qe do t'ju mbeshtes...! Hapeni dhe punesoni te rinjte qe dalin nga Universiteti i Arteve e nuk dine ku te shkojne te punojne por Teatrin e Operes dhe te Baletit e ka bere dhe e ben tjeterkush, prandaj nuk duhet prekur...! Duke uruar vertet qe te kete qene nje shpjegim jo i sakte, apo nje keqkuptim i çuditshem, mbetem ne pritje te zhvillimeve te ardhshme..."