Aktualitet

Tradita folkloristike dhe arti popullor shqiptar, i promovuar mes projektit “Phygital”

Tradita folkloristike dhe arti popullor shqiptar, i promovuar mes projektit

Shqipëria përgjatë shekujve ka latuar një kulturë të vetën artistike me tipare të veçanta e cila manifestohet në shumë fusha. Në artin oral, në poezi dhe në prozë, në muzikë apo në artet figurative kjo kulturë është manifestuar me figura të goditura, me kombinime origjinale tingujsh, me forma dhe ngjyra të qarta.

Gjinitë e ndryshme të artit popullor janë zhvilluar në lidhje të ngushtë me jetën e përditshme të njerëzve dhe janë gërshetuar me të, për të na lënë pas një traditë jo thjesht simbolike, por të gjallë dhe evidente në veprimtaritë e njerëzve. P.sh. fëmijën e porsalindur, sipas traditës, e ëma e mbulonte me mbulesa të stolisura, me motive dhe ngjyra të qeshura, duke dashur kështu të tregojë ndjenjat e ngrohta të dashurisë amësore. Ndërkohë i ati, përgatiste vetë djepin e drunjtë në të njëjtën trajtë si dhe paraardhësit e tij, duke i dhënë këtij djepi motive artistike. Gjyshja e fëmijës, i nanuriste nipit të vet, po të njëjtat ninulla që ajo vetë kishte dëgjuar kur kishte qenë në djep dhe që ishin të mbushura me urime dhe dëshira për jetën dhe prosperitetin e fëmijës. Teksa rritej, fëmija dëgjonte gjyshin e vet dhe mësonte këngët e trashëguara, i rrethuar nga orenditë tipike të shtëpisë, si larka karrigia e drurit, si dhe ornamentet zbukuruese të shtëpisë. Me këto shprehje, në thelb artistike, përcillej jeta e njerëzve brez pas brezi.

Kjo pasuri e madhe e shprehjeve nuk është krijimtari e disa njerëzve as një epokë historike e vetme, por është krijimtari e përbashkët e të gjithë popullit e formësuar me kalimin e brezave dhe të viteve, përgjatë epokave të ndryshme të historisë së tij. Kjo traditë e ka fillesën e saj në kohët më të lashta të Ilirisë, të njohur në historiografi për këngët e tyre, aftësinë për të performuar mjeshtërisht vegla të ndryshme muzikore, si fyelli, si dhe për vallet dhe veshjet e tyre tipike dhe të shqueshme nga fiset dhe kombet e tjera të kohës. Për motivet e arteve të aplikuara në kohën e ilirëve dëshmojnë materialet arkeologjike të zbuluara në Shqipëri. Kultura artistike e vendit, siç dhe evidentohet prej këtyre zbulimeve kishte formuar traditën e vet, që prej kohëve më të hershme të civilizimit të dokumentuar njerëzor.

Pikërisht kjo kulturë që e ka zanafillën tek ilirët, u trashëgua ndër breza duke u zhvilluar, u përshtatur dhe pasuruar, duke shoqëruar gjithnjë  zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Objektet e artit të aplikuar janë realizuar në materiale të ndryshme, në gur, në dru, baltë, metal, tekstil, kockë, etj. Në këtë pikë projekti i financuar nga BE, “Phygital”, i ofron artizanëve dhe të gjithë fushës së trashëgimnisë popullore në përgjithësi, mundësinë të rikrijojnë këto motive duke përdorur mjetet e fundit të teknologjisë si printerat dhe skanerat 3D, materialet CNC të përpunimit të drurit, metalit dhe plastikës, si dhe pajisjeve të tjera të teknologjisë së fundit, ku arti popullor mund të ruajë trajtën e tij tradicionale, por të krijuar me metoda moderne të cilat do të mundësojnë kalimin e të gjithë kësaj tradite folkoristike prej epokës së Ilirëve në epokën e revolucionit dixhital të cilin po e përjetojmë tani.

Hapësira Makerspace në qytetin e Korçës do të mundësojë që objektet e trashëgimnisë kulturore të ekzaminohen në software bashkëkohorë, çka do të lejojë studimin në detaj të tyre dhe replikimin e këtyre objekteve në pajisje bashkëkohore të cilat lejojnë prodhimin në masë, në një formë ekologjike, çka do të ndihmojë sipërmarrësit dhe të apasionuarit e artizanatit të zhvillojnë mjeshtërinë e tyre më tej dhe ta futin në shekullin XXI.

Projekti ndër-rajonal i BE-së “Phygital”, që operon me moton “dizenjo globalisht, prodho lokalisht”, ka si target group, profesionistët e lirë, bizneset e vogla dhe të mesme si edhe sipërmarrjet e vogla të sektorit të artizanatit, por natyrisht do të shërbejë dhe si një hapësirë ku do të mund të venë në jetë idetë e tyre inovative, njerëz nga i gjithë publiku. Vlera e shtuar e këtij projekti që do të implementohet në Shqipëri nga HEC Foundation, qëndron në mbështetjen e vazhdueshme që do u ofrohet sipërmarrësve në një botë gjithnjë dhe më globale, ku inovacioni është më i rëndësishëm se kurrë për konkurrueshmërinë dhe mbijetësën e sipërmarrjeve, veçanërisht atyre të vogla lokale.