Aktualitet

Tragjedia me 45 viktima në Bullgari, Hetuesit: Nuk pati asnjë shpërthim, gabimi njerëzor dyshohet të jetë shkaktar i aksidentit

Tragjedia me 45 viktima në Bullgari, Hetuesit: Nuk pati asnjë

Zëvendës kryeprokurori dhe drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar në Bullgari, Borislav Sarafov ka deklaruar se një gabim njerëzor është dyshimi kryesor që mendohet se ka shkaktuar aksidentin tragjik në Bullgari. Ai ka deklaruar se në vendin e ngjarjes janë gjetur 44 trupa ndërsa 1 rezulton i zhdukur.

“Për momentin pista më e besueshme është ajo e faktorit njeri, për të cilin po shqyrtohen kushtet e seksionit ku ka ndodhur aksidenti, si sinjalistika dhe ndriçimi rrugor. Trotuari në të cilin ka goditur shoferi i autobusit është jo vetëm i panevojshëm në vend, por edhe i rrezikshëm. Në vendngjarje nuk pati asnjë shpërthim, por zhurma e fortë që u dëgjua ishte ajo e autobusit që u përplas në trotuar, ndoshta kjo është arsyeja pse autobusi mori flakë.

Nga autopsitë rezulton se të gjithë pasagjerët kanë vdekur nga ngufatja prej tymit, jo nga goditja. Kjo do të thotë se ata ishin gjallë në momentin e zjarrit. Vlerësimi përfundimtar i shkaqeve të aksidentit do të duhet të jepet nga analiza përfundimtare, por versioni kryesor për momentin është gabim njerëzor – si shkak i aksidentit.

Gjatë marrjes në pyetje, njëri prej të mbijetuarve ka thënë se janë shpëtuar tetë persona, jo shtatë. Njëkohësisht në vendin e tragjedisë janë gjetur 44 trupa. Hetuesit po kontrollojnë versionin për të parë nëse ka një tjetër të mbijetuar dhe ku ndodhet. Mund të ketë dalë nga kufiri me një mjet tjetër, një autobus tjetër, që duhet kontrolluar,” tha Sarafov.

Sarafov tregon gjithashtu se ka patur dyshime se në autobus ka pasur karburante, që mund të jetë bartur për kontrabandë, gjithashtu është hedhur poshtë si mundësi për shpërthimin e zjarrit.

“Ka pasur informacione se në autobus po transportoheshin derivate të karburanteve, benzinë dhe dizel dhe se ato mund të kenë qenë shkaqet e shpërthimit të zjarrit. Kjo pistë është hetuar, por kategorikisht e hedhim poshtë si të pabazuar. Tre bidonë u gjetën në vend, që përmbanin vetëm mbetje vaji, pra nuk ishin të mbushur dhe as të djegur. Kjo nënkupton se zjarri nuk është shkaktuar nga karburanti”, tha Sarafov.

Tiranapost.al