Aktualitet

U dënua me 4 vite burg, reagon ish-kryebashkiaku i Lezhës: Nuk e di ende se çfarë kam bërë

U dënua me 4 vite burg, reagon ish-kryebashkiaku i Lezhës: Nuk e di

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, i cili u dënua me 4 vite burg për tjetërsim pronash, reagon për herë të parë pas vendimit të Gjykatës së Lezhës.

Frrokaj shprehet se do ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit, derisa të vërtetohet pafajësia e tij ose të provohet me fakte konkrete fajësia e tij. Ish-kreu i Bashkisë fajëson hipotekën, që sipas tij nuk ka bërë regjistrimin e pronave, ndërkohë që lidhur me hetimet që kanë zgjatur për rreth 4 vite, Frrokaj shprehet se nuk është pyetur asnjëherë dhe ende nuk e ka kuptuar se ku është gabimi i tij.

“Akoma nuk e kam gjetur se çfarë kam bërë. Unë nuk kam dashur ta mbajë me politikë këtë situatë. Por këtë situatë e kanë zgjatur sepse kanë dashur ta pjekin mirë. Nuk e konsideroj veten fajtor.

Unë jam arrestuar pa u pyetur as edhe njëherë, as në cilësinë e të pandehurit, as në cilësinë e dëshmitarit. Unë dua të di se çfarë kam bërë. Asnjë nga ato dokumente nuk është aprovuar nga bashkia. Për rrjedhojë çfarë lidhje ka. Hipoteka mund të mos e regjistrojë. Është procedurë e zakonshme. Nuk kam asnjë lidhje me personat në fjalë. Aty ishte një skemë përpara votimit në pushtetin vendor. Tani meqë zgjati dy vite dhe askush nuk më ka thënë se çfarë kam bërë gabim. Aty paraqitur vetëm pamjet dhe thonë pse e ka dërguar bashkia për regjistrim. Siç është procedura e zakonshme. Edhe ligji thoshte që brenda 30 ditëve duhet të dërgohet për regjistrim.

Hipoteka duhet të ishte kërkuar. Unë kam thënë se do paguani taksën për 10 vitet e fundit. Asnjë dokument nuk është firmosur nga Fran Frrokaj përveç asaj që është brenda ligjit. 

Do bëj ankimimin në apel. Deri në pafajësinë time ose në vërtetimin publikisht të fajësisë time. Unë thjesht kam pyetur për procedurat. Të gjithë kryetarët e bashkive bëjnë këtë gjë sepse nuk bën kryetari verifikim bëjnë strukturat. Ata nuk më lidhin fare mua pronarët me tapitë”, tha Frrokaj për ‘Abc News’.

Biseda me të u krye teksa ndodhej në makinë me një mik, me të cilin po udhëtonte për në Lezhë për të takuar avokatin.

Arrestimi i ish-kryebashkiakut u bë më 2018-n teksa më pas u la në arrest shtëpie. Frrokaj akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” për shkak të tjetërsimit të pronave në Shëngjin.