Aktualitet

“Ujë nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit”, Ministria: Nuk ka e nuk ka pasur diskutime për një projekt të tillë

“Ujë nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit”, Ministria: Nuk ka

Pasi në mediat greke qarkulloi lajmi mbi propozimin e kryetarit të Bashkisë së Korfuzit Verior, George Machimaris, për transferimin e ujit nga ‘Syri i Kaltër’ drejt ishullit grek, vjen reagimi nga Ministria e Turizmit.

Sipas saj, pretendimet e ngritura janë të pavërteta. “Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror””.

Reagimi i plotë nga Ministria e Turizmit:

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nisur nga disa lajme të përhapura në media të ndryshme mbi një propozim/memorandum teknik të supozuar të furnizimit me ujë me transferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit, sqaron: Nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm sipas lajmit të përhapur nga mediat.

Pretendimet e ngritura janë të pavërteta.

Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut.”

Mediat greke thanë se Kryetari i Bashkisë së Korfuzit Verior, George Machimaris, ngriti çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria, për të përballuar mungesën e pritshme të ujit në dekadat e ardhshme në ishullin e Korfuzit.

Ja çfarë thuhet në preambulën e propozimit të tij, sipas mediave:

“Menaxhimi i burimeve ujore është i lidhur drejtpërdrejt dhe i përfshirë në mënyrë aktive si me ekonominë dhe zhvillimin, ashtu edhe me mjedisin dhe është një parakusht për çdo formë të zhvillimit shoqëror. Me saktësi matematikore dhe duke marrë parasysh si zhvillimet ashtu edhe situatën aktuale në vitet në vijim do të përballemi me krizën e ujit, krizë që po zvarritet me të njëjtat karakteristika për më shumë se 30 vite rresht. Me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne paraqesim një propozim/memorandum teknik për furnizimin me ujë me transferim uji nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje, duke marrë parasysh dhe shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin e Aeginës me EYDAP në Salaminë, përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studimet ekzistuese si ai i Politeknikut (1991), që mund të përditësohet.”