Aktualitet

Ulet çmimi i naftës në tregun vendas

Ulet çmimi i naftës në tregun vendas

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një rënie të lehtë në tregun vendas. Në pikat e tregtimit me pakicë, nafta po tregtohet me 3-5 lekë për litër më pak.

Nafta kushton 153-155 lekë, nga 158 lekë që ishte më parë, ndërkohë që ka karburantë të cilët tregtojnë një litër naftë 150 lekë.

Çmimet e karburanteve janë ulur edhe më parë në tregun vendas, ndërkohë që kjo numërohet të jetë hera e katërt që çmimi bie.

Ndryshimi më i madh ndodhi në Prill, pas fillimit të pandemisë, kur si rrjedhojë e uljes në tregjet ndërkombëtare, nafta në vend zbriti me 15-20 lekë për litër.

Edhe në bursa, nafta tregtohet në nivelet më të ulëta që nga janari 2016, pavarësisht se është rimëkëmbur nga nivelet e ulëta prej 22 dollarë për fuçi, që arriti në fillim të pandemisë.

Sipas INSTAT, në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve ka pësuar rënie me18,3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.

Tkurrja më e fortë ishte në prill, me -33% në krahasim me prillin e 2019-s. Në maj, reduktimi vjetor ishte 18.4%, ndërsa në qershor ra më pak se 2%.

Konsumi ishte i ulët edhe gjatë muajve të verës, për shkak të turizmit të dobët.

Referuar Revistës Monitor