Aktualitet

Ulet duhanpirja tek burrat, por ka tendencë rritje tek gratë shqiptare

Ulet duhanpirja tek burrat, por ka tendencë rritje tek gratë shqiptare

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë rënie të numrit të duhanpirësve tek meshkujt dhe të moshuarit, por ka një tendencë në rritje tek femrat.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, duhanpirja tek meshkujt ka një rënie me 10% në 10 vjeçarin e fundit, nga 46%, në 36%.

Po sipas raportit të ISHP duhanpirja tek femrat ka prirje në rritje megjithëse mbetet ende e ulet për të ndikuar në prevalencën e përgjithshme.

Gjithashtu sipas ISHP në studimin e IMIAS 2012-2016 raportohet një rënie të prevalencës së duhanpirjes mes të moshuarve shqiptarë nga 16.1% ne 12.6% gjatë 5 viteve. Numri i cigareve të pira në ditë ka ardhur në rënie nga 23 cigare në ditë, në 20 cigare në ditë.

Në njoftimin nga ministria e Shënetësisë, thuhet se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm për rritjen e ndërgjegjsimit ndaj duhanpirjes në këto vite nëpërmjet disa nismave konkrete të Ministrisë.

'Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit në Shkurt të këtij viti ka miratuar imazhet që do të përdoren në paketimet e duhanit në Shqipëri. Këto imazhe që do të tregojnë dëmet që shkakton konsumi i duhanit në shëndet dhe do të zënë 65% të dy anëve të paketimit me qëllim reduktimin e konsumit të duhanit. Imazhet e reja do të vendosen në paketat e cigareve dy vite pas miratimit.

Me qëllim uljen e duhanpirjes, janë miratuar amendimet në ligjin “Për mbrojtjen e Shëndetit nga produktet e duhanit”, duke përfshirë ndalimin e duhanit në ambientet e brendshme edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike, shisha, që konsiderohen po aq të dëmshme për shëndetin e popullatës', përfundon deklarata nga 'Shëndetësia'.