Aktualitet

Unioni i Gazetarëve thirrje Ligës së Futbollit për bllokimin e RTSH: Ndëshkim dhe presion për arsye absurde

Unioni i Gazetarëve thirrje Ligës së Futbollit për bllokimin

Pas vendimit të Ligës së Futbollit për t’i hequr RTSH-së të drejtën e transmetimit të momenteve më të mira të Superligës shqiptare, Unioni i Gazetarëve shqiptarë reagon duke e quajtur të papranueshme shkeljen e kontratës. Në një njoftim për mediat i bëhet thirrje përfaqësuesve të saj që të reflektojnë, duke mos ndikuar në linjën editorial të një televizioni.

Liga e Futbollit, nëpërmjet një reagimi të kreut të saj Edvin Libohova i hoqi të drejtën RTSH-së që të transmetonte momentet më të mira të Superligës.

Reagimi:

UNIONI I GAZETAREVE SHQIPTARE shpreh indinjatën dhe mosaprovimin e tij për deklaratën e paprecedentë të Ligës Profesioniste te Futbollit, në përfundim të mbledhjes së datës 19 tetor 2020. Nëpërmjet presidentit të saj zotit Edvin Libohova, Liga u shpreh se njëri prej vendimeve të saj të rëndësishëm ishte mosrinovimi i kontratës me RTSH për transmetimin e përmbledhjeve të ndeshjeve të Superligës për sezonin në vijim. Arsyeja, sipas Libohovës, është qëndrimi jo sipas interesave të Ligës i emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH.

Ky vendim, vjen në formë ndëshkimi dhe presioni ndaj transmetuesit publik dhe emisionit më të vjetër sportiv në Shqipëri, për një arsye absurde dhe të papranueshme: shprehja e lirë e mendimit. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon të sjellë në kujtesë se në vendin tonë është luftuar shumë dhe është vuajtur edhe më shumë për të fituar të drejtën e fjalës dhe askush sot, nuk e ka të drejtën të na kthejë në kujtesë, kohë të errëta dhe të pretendojë të intimidojë gazetarë, tu mbyllë gojën, apo aq më keq të diktojë linjën editoriale të një studioje televizive, për më tepër, që nga përfaqësuesi i Ligës nuk u tha asnjë rast konkret i pretendimit të shpifjes, apo mungesës së etikës prej drejtueses së emisionit apo të ftuarve të tjerë.

U bëjmë thirrje bashkë me organizata të tjera gazetaresh, sisomos ato te gazetareve spoetive, përfaqësuesve të Ligës të reflektojnë mbi këtë vendim të papranueshëm të tyre dhe të mos harrojnë se jetojmë në një vend demokratik ku liria e shprehjes duhet të jetë gjithnjë në funksion të së mirës publike...