Aktualitet

Universiteti i Tiranës hap garën për Rektor e anëtarë senati, por si do votojnë studentët?

Universiteti i Tiranës hap garën për Rektor e anëtarë

Mësimi po zhvillohet online për shkak të pandemisë së koronavirusit, por ndërkohë që auditoret janë bosh, në Universitetin e Tiranës është hapur gara për rektor.

News 24 ka publikuar një shkresë që tregon se në datën 4 prill kanë nisur aplikimet për rektorin dhe anëtarët e senatit, pavarësisht mbylljes.

Në vendimin e firmosur nga 7 anëtarët e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në UT, përcaktohet se faza e dorëzimit të aplikimeve mbyllet në datën 8 maj.

Kujtojmë se rektor i Universitetit të Tiranës është Mynyr Koni, mandati i të cilit skadon në maj. Mbetet në pikëpyetje situata, pasi studentët kanë të drejtën e votës si për rektorin por edhe për senatin.

Universiteti i Tiranës hap garën për Rektor e anëtarë

Në një dalje publike më 14 janar, ministrja e Arsimit Besa Shahini tha se fushata për zgjedhjet në universitete do të niste sipas rregullores një muaj përpara.

“Unë kam ende shpresë, sepse besoj se zgjedhjet 2020 do të prodhojnë udhëheqës që punojnë për të mirën Universitetit të Tiranës, dhe kjo është tani në duar të pedagogëve dhe studentëve të Universitetit të Tiranës. Ajo që na mësoi protesta e studentëve të dhjetorit 2018, është se kur ka vullnet të fortë dhe organizim të mirë politikat edhe ndryshojnë. Ne si qeveri, për shkak të energjisë që morëm nga kjo protestë, arritëm të zbatojmë pak a shumë të gjitha pikat e “Paktit të Universitetit”, deklaroi ministrja.

Mbetet e paqartë si do zhvillohet ky votim.