Aktualitet

Urdhri i Stomatologut profil për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës: Humbëm një nga ikonat e themelimit të këtij shërbimi

Urdhri i Stomatologut profil për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës:

Urdhri i Stomatologut ka ndarë një profil për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës, e cila ka qenë mjeke stomatologe.

Dy vite më parë nënës së kryeministrit iu akordua titulli më i lartë “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”.

“Sot stomatologjia shqiptare humbi një nga ikonat e para të themelimit të këtij shërbimi elitar në vendin tonë. Familja humbi njeriun e saj të dashur: nënën, gjyshen e njeriun që do ta kujtojë tërë jetën”, thuhet ndër të tjera në profilin për Aneta Ramën.

Urdhri i Stomatologut Shqiptar:

Sot u nda nga jeta mjekja stomatologe “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” Dr.Aneta Rama. Dr.Aneta lindi në qytetin e Vlorës më 1 shtator 1939. Shkollën dhe arsimin e mesëm e mbaroi në qytetin e lindjes me rezultate ekselente. Dr.Aneta ishte dhe një sportiste e talentuar në katër lloje sportesh. Në vitin 1955 filloi studimet në një nga Universitet më me emer të Polonisë dhe i mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1961. Pasi u diplomua si mjeke stomatologe filloi punë në poliklinikën e qytetit të Vlorës. Dr.Aneta më vonë ka punuar në kryeqytet duke drejtuar poliklinikën dentare, e Specializuar ne Radiologji e Fizioterapi Stomatologjike.

Dr.Aneta është dekoruar me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultate shkencore në shërbimin ndaj qytetarit. Me rastin e 100 vjetorit të Stomatologjisë Vlonjate, Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë i akordoi titullin më të lartë: “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare“ në një atmosferë të jashtëzakonshme festive të mbarë dentistrisë. Sot stomatologjia shqiptare humbi një nga ikonat e para të themelimit të këtij shërbimi elitar në vendin tonë. Familja humbi njeriun e saj të dashur: nënën, gjyshen e njeriun që do ta kujtojë tërë jetën. Në emër të Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë i shpreh ngushëllime familjes, miqve e kolegëve të Dr.Anetës.

U prehsh në paqe Dr.Aneta!

Lexo me shume: