Aktualitet

Vakanca në Gjykatën Kushtetuese, KED përjashton nga gara 3 gjyqtarë

Vakanca në Gjykatën Kushtetuese, KED përjashton nga gara 3

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka skualifikuar sot nga gara 3 kandidatë për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Në vakancën e shpallur nga Presidenti Ilir Meta ishin 3 kandidatë Aldona Sylaj, Ardita Buna dhe Shaqir Hasanaj, të cilët janë skualifikuar të tre. Ardita Buna ishte kandidate e shpallur nga Kuvendi për vakancën e shpallur për vendin e Fatos Lulos.

“Kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Në mbledhjen e sotme Këshilli miratoi përfshirjen në rendin e ditës, mbi propozimin e një anëtari, edhe te diskutimeve mbi ecurinë e vakancës së shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe të vakancës së shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020 duke vendosur të informojë këto organe të emërtesës mbi gjendjen ku ndodhet secila nga vakancat e shpallura prej tyre. Gjithashtu, ky këshill do të njoftojë organet e emërtesës edhe se do të fillojë të kryeje veprimet paraprake të fazës pasardhëse në referim të nenit 240 të ligjit 115/2016 dhe Vendimit nr.5 të KED, të datës 02.04.2019 (i ndryshuar)” thuhet në deklaratën e KED.