Aktualitet

Mjeku shqiptar në Britani tregon shembullin e vendit ku shërben: Ja si do bëhet vaksinimi, sa doza do kryhen dhe si do ruhet

Mjeku shqiptar në Britani tregon shembullin e vendit ku shërben: Ja si

Në një intervistë për “Euronews Albania ” Laidon Shapi, mjeku shqiptar në Britaninë e Madhe, tregoi se si është menduar të bëhet vaksinimi i popullatës angleze, i pari vend që nis zyrtarisht vaksinimin ndaj COVID-19 me anë të vaksinës së Pfizer.

Mjeku sqaroi se vaksinimi i popullatës në Britani që nis nga 7 dhjetori, do të bëhet në dy doza me 21 ditë diferencë, në përfundim të të cilave besohet se personi i vaksinuar fiton imunitetin e duhur ndaj virusit.

“800 mijë doza të vaksinës do të shpërndahen nga data 7 dhjetor e do të bëhen 4 mln gjatë dimrit, kur do të fillojë një vaksinim në masë të gjerë i popullsisë. Vaksina e ‘Pfizer’ është e vështirë të mbahet për shkak të temperaturës së ulët, ndaj kjo vaksinë do të çohet fillimisht në spital, më tej tek shtëpitë e të moshuarve dhe tek kategori të tjera.

Kjo vaksinë doli e para dhe kaloi e para testet, çka jep sigurinë për kualitetin dhe efektivitetin. Problemi i saj është se duhet mbajtur në -70 gradë dhe se mund të shërbehet vetëm në doza 1000.

Organizimi i fushatës së vaksinimit është një ndërmarrje kolosale që kërkon shumë ekipe brenda. Vaksinimi do të kryhet në dy doza, 12-14 ditë pas dozës së parë fillon krijimi i antitrupave, më pas doza e dytë merret pas 21 ditësh. 25 ditë pas dozës së parë personat fitojnë imunitet. Kështu, në 4 janar të 2021 këtë person të vaksinuar në 7 dhjetor e kemi me imunitetin e duhur.

Imuniteti i tufës falë vaksinës mendohet të arrihet brenda pranverës dhe vera tjetër do të jetë ndryshe”, shpjegoi Shapi.