Aktualitet

Vatra aktive zjarri në vend: Terreni i vështirë dhe i nxehti rrezik për mosshuarje

Vatra aktive zjarri në vend: Terreni i vështirë dhe i nxehti

Vatra zjarri raportohen në terrene të vështira të vendit tonë që rrezikojnë përhapjen nga mos-shuarja e tyre. Nga dita e djeshme një sipërfaqe me pisha është përfshirë nga flakët në fshatin Simpan të Malit të Koshnicës, të cilat ende nuk janë shuar dhe po përhapen.

Në zonën malore të fshatit Zhulat në Gjirokastër janë katër vatra aktive zjarri. Terreni është i vështirë për ti shuar mes dyshimeve se zjarrvënia ishte e qëllimshme. Gjithashtu vatra e zjarrit është aktivizuar sërish edhe në fshatin Molung në Grykën e Qafë Thanës, mbi fshatin Katund i Vjetër në Rubik.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë por temperaturat e larta kanë ndikuar në përhapjen e tyre duke e bërë gati të pamundur shuarjen.

Për shkak të kësaj situate ka reaguar sot presidenti Meta me shqetësim, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme të emergjencës, pasi po dëmtohet pasuria publike, kombëtare dhe private, si dhe siguria e qytetarëve.

Reagimi i plotë nga faqja e Presidencës:

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim situatën aktuale të përhapjes së vatrave të zjarreve në disa qarqe të vendit.

Presidenti Meta nxit autoritetet qendrore dhe vendore për koordinimin në kohë dhe marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar çdo vatër zjarri që do të dëmtonte rëndë pasurinë publike, kombëtare dhe atë private.

Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, Presidenti Meta tërheq veçanërisht vëmendjen për eliminimin e rrezikut për jetët e qytetarëve.