Ndërron jetë efektivi i plagosur nga kolegu brenda Komisariatit të Policisë së Tiranës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Komisariatin Nr 3 të Policisë në Tiranë. Efektivi i policisë Ludian Zaimi ka vrarë me armë zjarri kolegun e tij Çaush Saliasi. Mësohet se i plagosuri është dërguar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, por nuk i ka mbijetuar dot plagëve të marra.
Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht edhe nga Policia e Shtetit, e cila në një deklaratë për mediat jep detajet e para të krimit të rëndë të ndodhur në ambientet e komisariatit, ku mësohet se ka shkuar edhe kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.
Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital.
Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.
Burime mediatike bëjnë me dije se ka qenë një konflikt banal që çoi deri në të shtënat me armë zjarri ku si pasojë polici i patrullës së përgjithshme humbi jetën.
Autori mësohet se ishte i ri në detyrë dhe nuk kishte më shumë se 1 vit e gjysmë që mbante uniformën e Policisë së Shtetit, ndërsa viktima Çaush Saliasi numëronte mbi 20 vjet që shërbente në ruajtjen e rendit në Tiranë.