Aktualitet

Veliaj: Ata që gjoja u kujtuan sot për Teatrin, janë të njëjtët që janë dënuar për shpifje nga Gjykata

Veliaj: Ata që gjoja u kujtuan sot për Teatrin, janë të

Nga Ndroqi, ku sot u përurua lagjja e re e Programit të Rindërtimit, nga e cila përfitojnë 74 familje, kryebashkiaku Erion Veliaj i ktheu përgjigje opozitës edhe për projektin e Teatrit të ri Kombëtar. Veliaj tha se ata që bëjnë sikur “kujtohen” për Teatrin, janë po ata që dje akuzonin për ndërtime kullash edhe në projekte të tjera të mëdha, por sot janë shpifës me vendim gjykate.

“Unë e di se sa herë që ka projekte, ka gjithmonë zëra që i fryjnë politikës e mundohen t’i përdorin njerëzit si mish për top. E kam parë këtë kudo! Sot po lexoja statuset e këtyre që tani u kujtuan për teatrin, me demek thonë do bëhen kulla. Janë të njëjtët njerëz që humbën gjyqin për shpifje edhe për shkollën “Sami Frashëri”, ku thanë do bëhen kulla; edhe për këndin e lodrave, ku thanë se do bëhen kulla; edhe për Pazarin e Ri, kur thanë se do bëhen kulla; edhe për Kalanë, e për të gjitha ato hapësira që sot janë bërë hapësira të jashtëzakonshme, që ia kanë shtuar vlerën pronës,” u shpreh Veliaj.

Më herët gjatë ditës së sotme kanë reaguar në lidhje me Teatrin ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe Presidenti Ilir Meta.

Statusi i Bashës në Facebook

“Prej dy vitesh teatri është një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Një plagë që sëmbon prej mosarsyeve që e shkaktuan atë dhe që janë të njëjtat me ato që e kanë mbajtur peng vendin këto 9 vite: arroganca, korrupsioni, klientelizmi, paratë e krimit dhe armiqësia e verbër ndaj trashëgimisë kulturore.

Sot ai shesh, i zhveshur dhunshëm nga historia e tij, është një tjetër vijë ndarëse midis qytetarëve që duan një Shqipëri demokratike dhe një pakice që shkatërron, plaçkit, uzurpon një nga institucionet më të shenjta të kombit.

Mirënjohje të thellë për artistët, qytetarët dhe qëndrestarët që nuk u pajtuan kurrë me marrëzinë e një regjimi që dialogun e kryen me fadroma dhe dhunë shtetërore. Gjykata Kushtetuese provoi se beteja në mbrojtje të Teatrit Kombëtar ishte e drejtë dhe tani është koha që drejtësia të shkojë deri në fund, duke nxjerrë përpara përgjegjësive ata që barbarisht sulmuan kulturën, qytetarinë dhe trashëgiminë tonë të përbashkët. #atykuishteatysiçishte”.

Statusi i Metës në Instagram

“Si sot, dy vite më parë, nëpërmjet një akti kriminal në mes të errësirës dhe në kulmin e pandemisë, u shemb barbarisht në zemër të kryeqytetit, godina historike e Teatrit Kombëtar.

Mirënjohje për të gjithë artistët jonkonformistë, gazetarët e pavarur, intelektualët dhe qytetarët e shumtë, të cilët edhe pse të tradhëtuar pabesisht nga lidershipi opozitar, u shndërruan në simbole frymëzuese të rezistencës ndaj arbitraritetit, korrupsionit dhe dhunës shtetërore, duke zgjuar ndërgjegjen shoqërore për rrezikun që kërcënon trashëgiminë kulturore kombëtare.
Akti kriminal që ende sot mbetet pa përgjegjës për shkeljet ligjore dhe kushtetuese, për shkeljen e Konventave Ndërkombëtare ku vendi aderon, si dhe për falsifikimet e zyrtarëve në të gjitha nivelet, tregon se sa e pavarur është drejtësia shqiptare që për dy vite jo vetëm nuk ka shpallur një fajtor, por as ka dhënë një përgjigje mbi arsyet e emergjencës të shembjes barbare të Teatrit Kombëtar.”

Statusi i Monika Kryemadhit

“Teatri Kombëtar u shemb në 17 Maj 2020 nga bashkëpunimi Luli-Edi&Co për t’i lënë vendin betonit të korrupsionit qeveritar.

Unë jam e bindur se ai teatër nuk do të ishte shembur kurrë dhe reagimi i qytetarëve të Tiranës, që u shprehën pa ngjyrime politike, do të kishte triumfuar, nëse do të ishin bërë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë, publik, civil. Kjo do të kishte krijuar një mburojë të pathyeshme për TK. Shumë prej këtyre më sipër, e humbën moralin, teksa nga kalorës të betejës fisnike për Teatrin Kombëtar, u kthyen në lypës shpresues për ndonjë metër katror në kullat e mëdha, apo ndonjë leje ndërtimi në bashkinë Tiranë.

Në këtë ditë, le të shërbejë imazhi i shembjes së Teatrit Kombëtar, për të fiksuar në mendje se oferta e autokracisë Rama është përparësia e korrupsionit dhe interesave klienteliste mbi interesin qytetar. Dhe, se vendi ka nevojë për institucione publike me integritet, ashtu siç ka nevojë për drejtësi dhe opozitë të vërtetë, në mënyrë që betoni i korrupsionit dhe qytetet e boshatisura të mos jenë e ardhmja jonë e vetme.”