Aktualitet

Veliaj në çerdhen dhe kopshtin e ri në Qesarakë:“Së shpejti nis ndërtimi i tre shkollave të reja. E gjithë zona kompletohet me shërbime

Veliaj në çerdhen dhe kopshtin e ri në

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi të vegjlit e çerdhes dhe kopshtit më të ri në Qesarakë. Në çerdhen dhe kopshtin e ri do marrin shërbim 100 fëmijë nga të cilët 40 fëmijë do jenë në ambientet e çerdhes dhe 60 fëmijë do jenë në ambientet e kopshtit, me staf të trajnuar.

Kryebashkiaku Veliaj tha se është mbajtur premtimi dhe në zonën e Qesarakës kanë shkuar të gjithë shërbimet e nevojshme për banorët, teksa dha lajmin e mirë që së shpejti do nisë ndërtimi për 3 shkolla të reja.

“Kemi filluar me çerdhet dhe me kopshtet dhe pastaj do vazhdojmë me shkollat. Shkolla “Dritëro Agolli” tek zona e Parkut Olimpik, 2 shkolla, 9-vjeçare dhe gjimnaz në qendër në Qesarakë tek Fresku, aty ku ka qenë Shërbimi Infromativ Ushtarak. Që fëmijët të mos bëjnë varavingo te Njësia 3, apo te Njësia 4, por të kemi këtu në komunitet 2 shkolla shumë cilësore”, sqaroi Veliaj.

Veliaj në çerdhen dhe kopshtin e ri në

Ai nënvizoi se çerdhja dhe kopshti i ri vjen me një model që njihet si një nga modelet më të mira sot në botë.

“Kemi praktikuar atë që njihet si filozofia e Emilia Romanjes. Kolegët tanë italianë kanë asistuar që të kemi 2 koncepte të tilla. Një e kemi te ish-fusha e aviacionit, tjetrën e kemi këtu në Qesarakë. Fëmijët mësojnë më shumë nëpërmjet lojës, sesa nëpërmjet mësimit klasik. Është e bazuar kryesisht në një kurrikul me shumë art, me instilacione, me vizatime, me pikturë, me interpretim, me teatër, me muzikë dhe mezi pres që nëse ne i ofrojmë fëmijëve në Qesarakë, të njëjtën formë të rritjes si fëmijët në kopshtet italiane”, sqaroi Veliaj.

Kandidati për deputet Xhemal Qefalia falenderoi Bashkinë Tiranë për investimin dhe tha se mezi pret që të nisë edhe ndërtimi i shkollave.

“Mezi pres që këtu të gumëzhijë me fëmijë dhe mezi pres që afër, kryetar t’i bashkëngjitet edhe shkolla siç e keni dhënë ju premtim për të gjithë banorët, shkolla 9-vjeçare, shkolla e mesme,për ta bërë ndryshimin të dukshëm dhe për të mos pasur diferenca fare me kopshtin, shkollat e qytetit”, përfundoi ai.

Çerdhja dhe kopshti i ri në Qesarakë ka një kapacitet prej 100 fëmijësh, ku 40 do jenë në ambientet e çerdhes dhe 60 fëmijë do jenë në ambientet e kopshtit. Ka një staf të mirëtrajnuar dhe profesional prej 18 personash, nga të cilët 10 edukatorë, psikologë e punonjëse sociale si dhe staf mbështetës.

*Tiranapost.al.