Aktualitet

Veliaj nga Njësia 4: PS barriera e fundit e Metës dhe Berishës

Veliaj nga Njësia 4: PS barriera e fundit e Metës dhe Berishës

Njësia 4 është një nga lagjet që po ndryshon dita-ditës, edhe falë projektit të rindërtimit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëkohësisht drejtuesi politik i PS-së për Tiranën së bashku me ministrin e Rindërtimit zhvilluan një takim me banorët atje.

Ahmetaj dha disa lajme të mira që janë pjesë e programit të Partisë Socialiste e që u vijnë në ndihmë familjeve shqiptare në çdo stacion të jetës.

“Do ndërtojmë 30 çerdhe deri në vitin 2022 dhe kemi një politikë fantastike, se unë e dua shumë si politikë edhe e quaj bonusi i çerdhes. Bonusi i çerdhes është për një çift të ri që nuk arrin dot për shkak të të ardhurave ta çojë në një çerdhe fëmijën e vet, pra ka të ardhura nën 1mln lekë. Qeveria jep një shumë prej 100 mijë lekësh të vjetra për 12 muajt e vitit. Gjithashtu kemi vendosur si politikë brenda paketës të strehimit 2000 apartamente në vitin 2022. Po ashtu kemi vendosur një shumë 20 mln euro për binjakëzim me universitete nga më të mirat në Evropë në mënyrë që diploma e studentëve të vlejë në gjithë botën”, u shpreh Ahmetaj.

Kryebashkiaku Veliaj rikujtoi se si ka qenë kjo zonë më parë, ku diskutohej për përmbytje, ndërsa tani flitet për cilësinë e ndërtimit, për shkollat e reja që po ndërtohen dhe shërbimet që do afrohen për t’u ardhur në ndihmë banorëve.

“Nuk mendohej që një ditë do kishim fusha sportive këtu dhe një nga shkollat model me emrin e shokut tonë ‘Ardian Klosit’, që sot nuk jeton më, por që do ishte shumë krenar që fëmijët tek Bregu i Lumit dinë perfekt gjermanisht. Një shkollë e cila që në katër vitet e para doli një nga shkollat numër 1 në Tiranë. Do të thotë që nuk ka rëndësi nëse është Blloku ose nëse është Bregu i Lumit, po të kesh një shans për sukses”, sqaroi Veliaj.

Për kundërshtarët politikë, Veliaj tha se luftojnë me Partinë Socialiste, pasi kjo është barriera e fundit e Ilir Metës dhe Sali Berishës, që nuk e po kapërcejnë dot. Basha, sipas tij, është thjesht kukull e këtyre të dyve.

“Ju mendoni që vendos Lul Basha? Bllokuan aeroportin e Rinasit, bllokuan vaksinat, bllokuan xhenazet qe kishin prenotuar varrime, një në Tufinë e një në Sharrë. Imagjino të kesh të afërmin tënd, që vjen rrotull në ajër, dhe pastaj shkon dhe përfundon në një magazinë nëpër aeroporte, derisa t’i teket këtyre, t’i lërë këta stresi. Luli është për t’u mëshiruar. Luli është për t’u vajtuar. Luli është për gjynah”, nënvizoi Veliaj.