Aktualitet

Veliaj nxjerr videon dhe tregon transformimin e Lumit të Tiranës: Shiu iku, por kujtesa nuk duhet të na lërë

Veliaj nxjerr videon dhe tregon transformimin e Lumit të Tiranës: Shiu

Pak vite më parë, reshjet e shiut përmbysnin të gjithë zonën e bregut të lumit në Tiranë, duke prekur shumë familje në Njësitë 4, 8, 9 dhe 11. Sot situata ka ndryshuar rrënjësisht dhe reshjet e ditëve të fundit nuk kanë krijuar asnjë problem në kryeqytet, aq më pak në zonën e Lumit të Tiranës.

Për të kujtuar punën e madhe që është bërë për sistemimin e Lumit të Tiranës dhe kthimin e zonës në një hapësirë të gjelbër, kryebashkiaku Erion Veliaj ka postuar një video-kujtesë.

Videoja e postuar nga Veliaj kujton se si ka qenë kjo zonë në kohën kur Lulzim Basha ishte në krye të Bashkisë së Tiranës dhe si është sot, ku as bëhet fjalë për përmbytje.

“Shumica e shiut iku, por shumica e kujtesës nuk duhet të na lerë...!”, shkruan Veliaj në Facebook.

Në video shihet qartë se më parë kjo zonë, dhe jo vetëm, përmbytej, duke shkatërruar shtëpitë përreth. Kjo gjë pranohej edhe nga vetë kryetari i Bashkisë së asaj kohe, Lulzim Basha.

Ndërsa, Bashkia e Tiranës, me ndërtimin e skarpateve dhe pritave në të gjithë gjatësinë prej 8 kilometër të Lumit të Tiranës, ka bërë që kjo zonë të mos ketë më asnjë lloj rreziku për daljen e lumit nga shtrati. Përveç kësaj, në të gjithë sipërfaqen anësore të lumit, vijon çdo ditë mbjellja e pemëve, duke e kthyer zonën në një hapësirë çlodhëse për banorët.