Aktualitet

Vëllai im humbi jetën sot, e solla në gjendje të mirë! Deklarata e qytetarit nga spitali Covid2: Nuk dimë ende nga çfarë vdiq

Vëllai im humbi jetën sot, e solla në gjendje të mirë!

Një pacient i shtuar në spitalin Covid2, si i infektuar nga virusi, ka ndërruar jetë, ndërsa lajmi u dha nga vëllai i tij. Në një prononcim për “News24”, një qytetar tregon se vëllai i tij ka humbur jetën sot në mesditë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërsa ngre akuza për mënyrën se si është trajtuar i ndjeri nga koha që u shtrua në spital për shkak të virusit.

Ai shprehet se prej dy javësh që vëllanë e kishte sjellë në gjendje të mirë, nuk ka pasur asnjë informacion për të ditur si ishte ecuria e tij, derisa sot i dhanë lajmin e rëndë.

Sipas vëllait të të ndjerit, ai ende nuk e di nëse viktima ishte pozitiv me koronavirus apo jo, teksa thekson se të afërmve ende nuk u është bërë tamponi.

“Heronj janë doktorët e infermierët por e kanë të pamundur me kapacitetin, ka pak staf me raportin e të shtruarve. Kam komunikuar përmes anës shoqërore me infermieret, ka nevojë çdo njeri t’i ketë te koka infermierët, jo vetëm të shkojnë t’i shohin. Ana tjetër këtu është mungesa e familjes, këtu kanë mbyll dyert, se ka dy javë unë në familjen nuk e dimë a jemi infektuar, thotë do vijmë t’ia bëjmë ndonjërit, asnjërit nuk ia kanë bërë deri tani, as vëllait tim që ka vdekur sot. Ai ka ardhur shëndoshë me këmbët e veta ka dal sot i vdekur, nuk e dimë nga çfarë ka vdekur, ka ardhur duke folur, s’ka pasur asnjë sëmundje tjetër, as ka pirë duhan e alkool, del sot i vdekur, kush është shkaku? Vërtet sëmundja bën punën e vet por shërbimi duhet të jetë i saktë, ku është shteti? Futu gjallë e del i vdekur?”, tha qytetari.

Pritet që lidhur me këtë rast të mësohen më shumë detaje pas përditësimit të të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë.