Aktualitet

Rama lë të kuptojë që Vuçiç vjen në Samitin e BE të Tiranës! Do të mungojë vetëm një lider europian, Pedro Sanchez

Rama lë të kuptojë që Vuçiç vjen në

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vetëm një lider europian do të mungojë në Samitin e 6 Dhjetorit në Tiranë, BE – Ballkani Perëndimor dhe ai është kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez.

Në një komunikim live me gazetarë dhe komentues në rrjetet sociale Rama la të kuptohet se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic do të jetë në këtë Samit dhe tha se i ka bërë thjesht për konsum të brendshëm politik deklaratat e tij se nuk do të jetë në 6 Dhjetor në Tiranë.

- Zoti Rama, duke qenë se e quaj pak surprizuese deklaratën e presidentit Vuçiç për mospjesëmarrjen e tij në këtë Samit, deri në këto momente a e kanë konfirmuar të gjithë liderët e tjerë europianë prezencën e tyre dhe a ka ndonjë prej tyre të cilët nuk do të jenë pjesë e këtij samiti në 6 dhjetor?

Përgjigjja e kryeministrit Rama: E para, nuk e di çfarë ju ka surprizuar juve në deklaratën e Presidentit të Republikës së Serbisë, por unë do ju sugjeroja shumë miqësisht të mos surprizoheni asnjëherë për deklarata politike për konsum të brendshëm, sado ekstreme e sado nganjëherë të papërshtatshme ato të jenë. Ndërkohë që ka vetëm një deri tani të paktën, nga liderët e Bashkimit Europian që nuk do të jetë i pranishëm, kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez i cili më ka çuar një letër shumë miqësore me sqarimin që atë ditë Spanja ka ditën e Kushtetutës dhe është një ditë me rëndësi shumë të madhe për Spanjën.

Edhe duke iu përgjigjur një pytje tjetër në Konferencën live, Rama tha se ishte i bindur se Vuçiç nuk ka rrugë tjetër veçse të vijë në Samitin e liderëve të BE dhe të Ballkanit Perëndimor të së martës.

“Serbia do të jetë në Samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në Samit, jua them këtë me bindje sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për atë vetë natyrisht,” u shpreh Rama.

Aleksandar Vuçiç u shpreh pak ditë më parë se as ai dhe askush nga Serbia nuk do të jetë i pranishëm në këtë Samit. Shkak ishte emërimi i një ministri në Kosovë i cili zëvendësoi emrin e dorëhequr nga Lista Serbe.