Aktualitet

Vettingu shkarkon gjyqtarin në Vlorë, djali i tij shkruan letër të hapur: Ja pra babë që kisha unë të drejtë

Vettingu shkarkon gjyqtarin në Vlorë, djali i tij shkruan letër

Është shkarkuar nga detyra gjyqtari i Apelit të Vlorës Hysen Saliko. Pas Vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendimin me arsyet se janë konstatuar disa probleme me pasurinë. Sipas Salikos, ai dhe familja e tij zotërojnë një fermë për mbarështimin e bletëve dhe me një kopsht me 400 rrënjë mollë, aktivitet që i ka dhënë familjes mundësinë të blejë dy apartamente  në Tiranë dhe një makinë modeste, prodhim i vitit 2002.

Por nga KPK u tha se të ardhurat e tij nga bujqësia nuk janë shoqëruar me dokumentacionet përkatëse. Gjithashtu një pagesë prej 30 mijë eurosh ka ngjallur dyshime, edhe pse gjyqtari ka thënë se atij i është falsifikuar firma në dokumentin e derdhjes së shumës.

Për vendimin e KPK ka reaguar djali i tij, Ibrahim Saliko. Përmes një letre të bërë publik nga Newsbomb, ai ironizon duke thënë se pavarësisht se babai i tij kishte besim se do dilte i pastër dhe do gjykohej drejt, fati i tij ishte vendosur: Do shkarkohej se ishte vënë në shënjestër.

Mes të tjerash ai thotë se u 'gëzua' nga shkarkimi se më në fund do ketë më shumë kohë të luajë me fëmjët dhe nipin.

Letra e plotë:

Letër babait tim të ripërndjekur politikisht

Çfarë ndodhi?

Asnjëgjë!

Ndodhi ajo që kisha vite që ta kisha shprehur, që vettingu u krijua për ju! Po, po! Për ju njerëzit e drejtë të këtij sistemi që nuk ditët të bëheshit palë kurrë me padrejtësinë, krimin dhe politikën.

Ndodhi ajo që pritej, të të largonin ty dhe shumë kolegë të tutë me padrejtësitë që politika ju vari çelsat në qafë, por ju nuk e hapët kurrë atë dryn.

Ja pra babë që kisha unë të drejtë edhe pse ti me atë drejtësinë tënde nuk i besoje kësaj të vërtete që t’u shpall sot. Kur kolegët e tu po rreshtoheshin si “të padenjë” për këtë sistem ti thoje: Do kenë gabuar vettingarët nga mos interpretimi i drejtë i ligjit.

Ti babë përveç se ke dënuar veten na dënove edhe ne. Këta vettingarët prisnin që ti të kishe lindur në Paris, që mos çuditeteshin që ti vije nga fshati Qinam i Kolonjës edhe se merreshe me bletari. Një gjyqtar me bletë!! Ku e konceptonin dot ata!!!

Tani thanë se ti nuk ke burime të ardhurash për të justifikuar pasurinë që ke sot. Po ku ka bir nënë që të të kërkoj llogari ty për 30 vjet punë që ke bërë duke dhënë gjithë kontributin tënd në sistemin e gjyqsorit apo lekët e tua që fiton nga biznesi yt.

Meqë jemi disa orë pas vendimit i ftoj ata vettingarët të vinë në Qinam e t’ju japim pak mjaltë nga ai i joni. E të pyesin kolonjarët se sa kohë ke me këtë biznes. E ç’ju duhet atyre?! Ata të kishin vënë në shenjë me goditje të përqëndruar. Ti ishe i destinuar për këtë fat!

E di që je vrarë jo se të hoqën nga një punë që bëre për 30 vjet, por sepse të njollosën. Ti i persekutuar në dy kohë. Para dhe pas 90-ës. Por me gjithë persekutimin ti gjykove drejtë në 30 vjet.

Madje gazetari Gjergji Erebara ( ndjesë për citimin) tha: Saliko ishte vetë i pranishëm në seancë ndërsa u lavdërua për aftësitë profesionale, rezultoi i përshtatshëm në lidhje me pastërtinë e figurës.

Ja pra babë ti I pastër je, por thjesht te bënë pis emrin që ndërtove në 30 vite.

E sheh si është politika e ngritur për të vënë kastën e tyre të prokurorëve e gjyqtarëve?! Që me një të rënë të lapsit të të zhgarravisin figurën.

Këtë u munduan ta bëjnë ata. Por ti si Zotëri do e çosh dinjitetin në vënd.

Ti nuk ishe si disa gjyqtarë që gdhiheshe e ngryseshe në tavolinë me politikanë, me bandat e krimit. Po ti ishe i paaftë. E kjo paaftësia jote të dha këtë medalje.

Por dua ta falenderoj atë komision. E di pse?

Se në 30 vjet nuk erdhe në shtëpi pa sjellë me vete punën tënde.

Tani jam i kënaqur që nipi yt do të ketë mundësi që të luaj me ty. Madje të luash edhe me ne, si dënim për vitet që të mori ajo “paaftësia jote”.

Tani çohu bëj gati plaçkat se do shkojmë në Qinam do ju sjellim qumësht blete komisionerëve se ju ka rënë imuniteti.

Baba mirë se erdhe në shtëpi!