Aktualitet

Virozat shtojnë fluksin në Urgjencën e Infektivit, mjekja tregon vështirësinë e dallimit me Covid

Virozat shtojnë fluksin në Urgjencën e Infektivit, mjekja tregon

Në dy javët e fundit është rritur numri i qytetarëve që i drejtohen Urgjencës së Infektivit, për shkak të simptomave të ngjashme mes virozave stinorë dhe koronavirusit! Këtë thotë mjekja infeksioniste Migena Qato e cila thekson se është e vështirë të diferencosh që në fazën e parë një koronavizorë nga viruse të tjera të stinës si gripi, pa u kryer tamponi.

“Është shumë e vështirë që të diferencosh në fazën e parë një koronavirozë nga viruse të stinës. Alerti i njerëzve është shtuar dhe po ashtu ankthi i tyre. Ndaj numri i pacientëve që referojnë ankesat e para dhe numri i njerëzve që paraqiten dhe tek ne për ndihmë mjekësore është i shtuar”.

Lidhur me situatën e pacientëve me Covid, mjekja thotë se janë persona që i përkasin të gjitha grupmoshave, duke nisur nga ajo 20 vjeçare, por përqindje më të lartë kanë moshat 55-60 vjeç.

“Përqindje më të lartë e kanë grupmoshat 55-60 vjeç duke qenë se janë mosha më të brishta imunologjikisht dhe janë bartës të sëmundjeve bashkëshoqëruese. Moshat e reja nuk janë të kursyera në pjesën e gravitetit klinik”.

Problemi me të cilin po ndeshen pacientët janë insuficenca respiratore.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë: në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 257 pacientë, 19 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

*Mjekja infeksioniste Migena Qato për Klan.