Aktualitet

Vjosa është dhuratë për gjithë Evropën! Ekologjisti gjerman i shkruan letër Ramës dhe një kërkesë për BE-në

Vjosa është dhuratë për gjithë Evropën!
Michael Succow

Ekologjisti gjerman, Michael Succow, fitues i çmimit alternativ Nobel, i ka dërguar një letër të hapur kryemnistrit Edi Rama, ku i bën thirrje që të nisë projekti për Parkun Kombëtar të Vjosës.

"Vjosa në Shqipëri është një nga lumenjtë e fundit të virgjër të Evropës me një nga ekosistemet më të spikatura të kontinentit. Në dritën e përkeqësimit të jashtëzakonshëm të habitateve natyrore dhe biodiversitetit në Evropë dhe në notë, Vjosa është një dhuratë e madhe jo vetëm për banorët e Shqipërisë, por për të gjithë evropianët dhe më gjerë", shkruan ekologjisti 79-vjeçar ndër të tjera në letrën e tij.

Vjosa është dhuratë për gjithë Evropën!

Sipas Succow rreth 30 projektet e HEC-eve të reja përgjatë lumit përbëjnë rrezik për ekosistemin. Letra e tij i drejtohet edhe BE-së ku i kërkohet që të mbështesë Shqipërinë me fonde, me qëllim krijimin e parkut të Parë Kombëtar të një lumi të virgjër në Europë.

"Kjo do të ishte një arritje gjigante për natyrën e Evropës dhe dhe mund të shërbente si model për BE-në".

Rreth 36 organizata mjedisore i janë drejtuar për këtë çështje që nga shkurti e deri tani qeverisë së Shqipërisë, ndër ta edhe aktori i Hollivudit, Leonardo di Caprio, në një mesazh në Twitter. Më 10 shkurt, rreth 20 organizata mjedisore nga Shqipëria dhe Evropa i kishin dorëzuar ministrit të Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, një plan për krijimin e Parkut Kombëtar në rrjedhën e lumit Vjosë.

Qeveria e Shqipërisë më herët kishte paralajmëruar se do ta kthente luginën e Vjosës në një plan kombëtar, por sipas shoqatës për mbrojtjen e mjedisit, EcoAlbania, projekti i qeverisë shqiptare i ka përjashtuar nga mbrojtja zonat përreth hidrocentraleve të planifikuara.

Veç hidrocentraleve, sipas Deutsche Welle ekspertët e shohin të rrezikuar ekosistemin e Vjosës, me ngritjen e aeroportit të Vlorës, tenderi i të cilit i është dhënë ndërkohë kompanisë zvicerano-shqiptare Mabetex, të ish-ministrit të jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli, dhe kompanisë turke YDA, e cila aktualisht po ndërton edhe spitalin e Fierit.

Sipas Ecoalbania, përgjatë Vjosës jetojnë aktualisht 1.175 specie kafshësh dhe bimësh, duke përfshirë 119 specie të mbrojtura sipas ligjit shqiptar dhe 39 specie që janë të listuara në Listën e Kuqe Ndërkombëtare të Specieve të Kërcënuara të shoqatës ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës IUCN.

Ekspertët mendojnë se numri i specieve të rralla është shumë më i lartë, pasi shumë zona të Vjosës dhe degëve të saj janë ende të paeksploruara.

Referuar Deutsche Welle.

*Tiranapost.al.