Aktualitet

Vlorë/ Drejtoresha e Zonave të Mbrojtura: Janë djegur 500 ha, nevojitet ndërhyrje urgjente nga ajri

Vlorë/ Drejtoresha e Zonave të Mbrojtura: Janë djegur 500 ha,

Drejtoresha e Zonave të Mbrojtura, Lorela Lazaj ka bërë me dije në një intervistë të dhënë për “Report TV” se në zonën e Vlorës, rreth 500 hektarë tokë, kryesisht kullotë është dëmtuar nga zjarret që janë krijuar si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësirës.

Lazaj ka shtuar se ndërhyrja nga ajri për neutralizimin e flakëve, tanimë është domosdoshmëri dhe se mbështetja vetëm tek rrugët tokësore nuk është e mjaftueshme.

“Situata është shumë kritike, në krahasim me ditën e djeshme ka një trend përmirësimi, jemi në ditën e 5 të zjarrit dhe e vetmja ndërhyrje është bërë nëpërmjet tokës. Sot janë gati 80 persona që janë shpërndarë në perimetrin e zjarrit dhe po mundohen që ta neutralizojnë ato. Po punojnë në kushte atmosferikë shumë të vështira si dhe në mungesë të pajisjeve teknike të specializuar për ndërhyrje të kësaj shkalle, por edhe të kushteve atmosferike pasi fryn erë dhe favorizon flakët. Dyshojmë se ka një sipërfaqe prej 500 ha. ende nuk kemi një raport përfundimtar. pjesa më e madhe janë fond kullosor dhe shpresojmë që vlera dëmit të këtij zjarri të jetë sa më e ulët. U kemi kërkuar emergjencave Civile ndërhyrjen ajrore por nuk kemi pasur deri tani të mundur për shkak të arsyeve teknike dhe të gjitha përpjekjet tona janë fokusuar në pjesën tokësore. Është e pamundur nëse mbështetemi vetëm në rrugë tokësore”- ka thënë mes të tjerash Lazaj.

Tiranapost.al