Aktualitet

Voltana Ademi reagon ndaj padisë për Vllazninë: E mora vesh nga televizioni, do t’i shqyrtojmë pretendimet

Voltana Ademi reagon ndaj padisë për Vllazninë: E mora vesh nga

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, reagon pas padisë së këshillit bashkiak mbi emërimet tek Vllaznia, ndërsa shprehet se nuk është njohur më parë me këto pretendime, përveç se përmes televizionit.

Ademi thotë se do të shqyrtojë me vëmendje pretendimet, para se të dërgojë përgjigje.

"Nuk jam njohur me projekt vendimet. E kam dëgjuar për herë të parë përmes televizionit. Jam e qetë në ushtrimin e detyrës time me korrektesë. Nga paraqitja në seancën e këshillit teknikisht asgjë nuk kuptova nga pretendimet. Do ta lexoj me vëmendje dhe do të hedh dritë me profesionalizëm për çdo paqartësi në aplikim të ligjit nëse kanë. Meqënëse më pyet, po ju dërgoj vendimet e të gjithë kryetarëve të Bashkive Vlorë, Kamëz, Lushnjë, etj. Ata me tagrin që u jep ligji kanë ushtruar detyrën sikurse ligji parashikon. Nuk besoj se Shkodra për faktin e të qenit në opozitë bën ndonjë përjashtim", thotë Ademi për mediat.

Sipas Këshillit Bashkiak, vendimet që ato kishin marrë për Vllazninë, i janë vënë në dispozicion Voltana Ademit, ku kjo e fundit i ka kthyer me argumentin se dokumentacioni nuk është në formën e duhur ligjore.

Padia është ngritur për kundërshtimin e vendimit të kryetares së bashkisë për “Miratimin e pasqyrave financiare të vitit 2018 të shoqërisë Klubi i futbollit sh.a Vllaznia” dhe “Për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës  të shoqërisë”.