Aktualitet

Votohet në Kuvend ministrja e re e Arsimit Evis Kushi

Votohet në Kuvend ministrja e re e Arsimit Evis Kushi

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot emërimin në në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushin.

Me 104 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim Kushi është emëruar si ministrja e re, e cila vjen në këtë vend pas largimit të ish-ministres Besa Shahini.

Ndërkaq ish-ministrja Shahini u shkakrkua me 106 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenim.

Deputetja socialiste ka qenë pedagoge, kur vendosi që të hynte në fushën e politikës. Ajo është diplomuar në vitin 1997 për Administrim-Biznes në Universitetin e Tiranës. Në 2008 ka marrë gradën shkencore Doktor (PHD) në Ekonomiks në Universitetin e Staffordshire në Angli. Dy vjet më vonë mori titullin “Profesor i Asocuar,” në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe më pas “Profesor” në Universitetin Bujqësor.

Nga viti 1998 deri në vitin 2013 ka qenë lektore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Në vitin akademik 2008-2009 ka qenë lektore në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Ekonomik, Maqedoni. Në vitet 2012-2013 ka qenë dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Ajo u zgjodh deputete e Partisë Socialiste në vitin 2013 për qarkun e Elbasanit dhe është anëtare në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Ajo është autore dhe bashkautore e botimeve të ndryshme shkencore në fushën e marketingut dhe turizmit. Tashmë përpara saj është një sfidë e re, të drejtojë ministrinë e Arsimit.

Menjëherë pas votimit në Kuvend ministrja e re e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi shkoi në Presidencë dhe u betua para Presidentit të Republikës Ilir Meta.