Gjykata e Strasburgut merr vendimin për vrasjen e Aleks Nikës në 21 janar: Shkeljet e kryera në këtë çështje

Gjykata e Strasburgut ka dhënë vendimin e saj për vdekjen e Aleks Nikës, njërit prej 4 protestuesve që mbetën të vrarë në 21 janar të vitit 2011.
Sipas vendimit të Gjykatës, në këtë çështje ka dy shkelje, të cilat janë vrasja dhe mos-zbardhja e ngjarjes.
Gjykata thotë se ligji i kohës dhe plani masave të Gardës nuk garantonin jetën dhe zbardhja e ngjarjes nuk u realizua.
Familjarët e Nikës dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pas vdekjes së tij.
VENDIMI I GJYKATËS
Megjithëse reagimi i autoriteteve ndaj incidentit kishte qenë i shpejtë, Gjykata konsideroi se kishte pasur një numër mangësish që ngjallnin dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin hetimin apo të ndërhynin padrejtësisht.
Së pari, zyrtarë të lartë kishin bërë disa deklarata publike të nxituara menjëherë pas incidentit, duke thënë se viktimat ishin qëlluar në distancë të afërt dhe me lloje armësh të ndryshme nga ato në përdorim nga Garda dhe policia. Prokurorja e Përgjithshme i ishte nënshtruar kritikave të ashpra nga Kryeministri i atëhershëm dhe nga një komision hetimor parlamentar i cili kishte nisur punën paralelisht me hetimin penal. Një qasje e tillë pati një ndikim negativ në efektivitetin e hetimit, në veçanti për shkak të potencialit për t’i dekurajuar dëshmitarët për të bashkëpunuar me hetimin.
Për më tepër, edhe pse ishin lëshuar urdhër-ndalime në lidhje me oficerët e dyshuar të Gardës së Republikës, ato nuk ishin zbatuar, me pretendimin e pasaktësive në përmbajtjen e tyre. Ishin vetë oficerët ata që u dorëzuan 18 ditë më vonë, çfarë solli një humbje kohe në një fazë kritike, si dhe të mundësisë për të minimizuar bashkëpunimin ose shtrembërimin e së vërtetës.
Po ashtu ishte me rëndësi fakti që regjistrimet video të incidentit, të ruajtura në dhomën e serverit të Kryeministrisë, ishin fshirë. Dyshimi se fshirja mund të kishte qenë e qëllimshme nuk gjeti përgjigje në procesin penal kundër një nëpunësi të teknologjisë së informacionit, proces i cili nuk arriti të përcaktonte se prej kujt dhe si ishin fshirë regjistrimet.
Të tjera mangësi në hetim përfshinin mos-hetimin e mundësisë që demonstruesit, duke përfshirë edhe të afërmin e kërkueseve, ishin shënjestruar drejtpërdrejt dhe deri në ç’masë oficerët komandues kishin qenë përgjegjës për rrjedhën e ngjarjeve. Nuk ishte përcaktuar as një kronologji e saktë e ngjarjeve, duke përfshirë sekuencën dhe natyrën e urdhrave të dhënë nga ata që ishin në zinxhirin komandues të Gardës dhe momentin e saktë kur viktimat ishin qëlluar. Në fakt, disa pista kyçe hetimi, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë, nuk ishin shteruar.
Më tej, sa i përket mangësive në hetimin konkret për vdekjen e të afërmit të kërkueseve, Gjykata gjeti se autoritetet nuk kishin kryer në kohë ekspertizën mbi trupin e viktimës dhe kërkueset u ankuan se u ishte mohuar aksesi gjatë hetimit, pretendim që Qeveria nuk mundi ta rrëzojë me prova.
Prandaj, marrë parasysh tërësinë e rrethanave, Gjykata gjeti se hetimi i çështjes nuk kishte qenë efektiv pasi nuk kishte arritur të përcaktonte të vërtetën apo të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, çfarë përbën shkelje të nenit 2.