Yuri Kim takon anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në prag të zgjedhjes së kryetarit të ri

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim ka zhvilluar një takim ditën e sotme me 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kim e cila ka postuar edhe një foto me ta është shprehur se plotësimi me 9 anëtarë i kësaj Gjykate është një moment i rëndësishëm i Reformës në Drejtësi që SHBA e mbështet fuqishëm, ndërsa u ka uruar suksese në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri.
“Që nga dhjetori 2022, Gjykata Kushtetuese është kompletuar me 9 gjyqtarë. Arritje madhore për reformën në drejtësi, e cila mbështetet fuqishëm nga SHBA. Një nder të takoj të gjithë gjyqtarët sot për të uruar sukses në zgjedhjen e një shefi të ri dhe në dhënien e drejtësisë me pavarësi dhe integritet, në përputhje me ligjin”, shkruan Kim.
Përzgjedhja pak ditë më parë e anëtares së nëntë të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj i ka hapur rrugë procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri të këtij institucioni.