Aktualitet

Zgjedhjet/ Mjekët shqiptarë letër politikanëve për fushatën zgjedhore në kohë virusi dhe kërkesë KQZ për të infektuarit

Zgjedhjet/ Mjekët shqiptarë letër politikanëve për

Mjekët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit i kanë dërguar një letër partive politike dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me fushatën zgjedhore dhe votimin me 25 prill në situatën e pandemisë. Duke shprehur shqetësimin në lidhje me situatën me Covid, ku ka numër të lartë të infekturisht dhe të shtruarish në spital, ata kanë shtruar 7 kërkesa në lidhje me masat si dhe kërkojnë nga KQZ që të hartojnë politika për tu mundësuar votimin të infektuarve me Covid që janë në shtëpi dhe në spitalet Covid, duke u mundësuar të drejtën për të votuar.

-Shtatë kërkesat janë:

1-Ndalimin e grumbullimeve të më shumë se 10 personave në mjedise të mbyllura dhe të hapura, në konferenca, tubime, mbledhje partiake, në ceremonitë festive dhe ato mortore

2-Përdorimin e detyruar të barrierave mbrojtëse (maskave)

3-Mbajtjen e distancës fizike prej 2 metrash, nga të gjithë personat, gjatë kohës që janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit. Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit.

4-Respektimin rigorozisht të masave anti-COVID nga stafi zgjedhor.

5-Marrjen e masave të duhura organizative nga Komisioni Qendror Zgjedhor, për të regjistruar personat që fatkeqësisht mund të jenë të infektuar me Covid-19, ata që janë në karantinë apo izolim të detyruar, si dhe të kujdeset për përditësimin e listës së këtyre votuesve në kohë reale. KQZ duhet të ndërmarrë procedurat e duhura që personave të izoluar/karantinuar t‘ju mundësohet pjesëmarrja në votim .

6-Takimet, konferencat dhe mbledhjet zgjedhore me mbi 10 persona të mbahen në formatin elektronik

7-Personat mbi 65 vjeç, si dhe ato që vuajnë nga sëmundje shoqëruese, t’i shmangin aktivitetet parazgjedhore.

Letra e plotë me emrat e mjekëve:

Letra e plote e mjekëve:

Drejtuar:

Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së tij z. Ilir Meta
Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste: z. Edi Rama
Kryetarit të Partisë Demokratike: z. Lulëzim Basha
Kryetares së Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim: Znj. Monika Kryemadhi
Kryetarëve të partive politike pjesëmarrëse në Procesin Zgjedhor të 25.04.2021
Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve: Z. Ilirjan Celibashi
Të nderuar Zonja e Zotërinj,

me rastin e afrimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021, ku mijera qytetarë po angazhohen në fushatën parazgjedhore e më pas përmes vullnetit të votës së tyre, do të kenë mundësi të zgjedhin ekipin e ri qeverisës, ne, personeli mjekësor, shohim me shqetësim respektimin dhe mbarëvajtjen e masave anti- Covid, të cilat janë përcaktuar me ligj, pikërisht me votë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë.

Duke qenë se shifrat e infektimeve të reja dhe akoma më tepër të vdekjeve, janë në një trend rritës shqetësues, donim t‘Ju drejtoheshim nëpërmjet kësaj letre të hapur, ku secili nga ju, me kompetencat përkatëse, të kontribuojë në implementimin, respektimin dhe zbatimin e masave ndaj COVID-19 në Shqipëri.

Nëpërmjet kësaj letre të hapur kërkojmë vëmendjen Tuaj në:

1- Ndalimin e grumbullimeve të më shumë se 10 personave në mjedise të mbyllura dhe të hapura, në konferenca, tubime, mbledhje partiake, në ceremonitë festive dhe ato mortore, në mbështetje të Ligjit Nr. 15/2016, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “Per parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive“, Nenit 102, Pika 4, në mbështetje të Udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, “Me qëllim mbrojtjen e Shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-19“, Neni 7, në mbështetje të Ligjit 44/2015 „Kodi i Proceduarve Administrative të Republikës së Shqipërisë“, nenit 113, si dhe të vendimit nr.4856 date 16.11.2020 të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

2- Përdorimin e detyruar të barrierave mbrojtëse (maskave), bazuar në Aktin Normativ nr. 32 të Këshillit të Ministrave, datë 12.10.2020 “Për një ndryshim në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të nr. 32, datë 12.10.2020 i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar”, Neni 3 , pika 23 si dhe sipas Udhëzimit nr. 1163/1 prot., datë 13.10.2020 të Institutit të Shëndetit Publik “Udhëzues mbi përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambientet jashtë shtëpisë” të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

3- Mbajtjen e distancës fizike prej 2 metrash, nga të gjithë personat, gjatë kohës që janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit. Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit. Në vendvotim duhet të vendosen edhe dezinfektuesit, të cilët do t’i shërbejnë votuesve për t’i dezinfektuar duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit, bazuar në pikën 23 të Aktit Normativ nr.3 date 15.03.2020 te Keshillit te Ministrave, „Për marrjen e masave te veanta administrative gjate kohezgjatjes se periudhes se infeksionit te shkaktuar nga Sars-Cov-2“

4- Respektimin rigorozisht të masave anti-COVID nga stafi zgjedhor. Ky staf është përgjegjës për dezinfektimin e tavolinave dhe ajrosjen e herëpasherëshme të vendvotimeve, si dhe për zbatimin e masave mbrojtëse e parandaluese gjatë procesit të votimit dhe atj të numërimit të votave.

5- Marrjen e masave të duhura organizative nga Komisioni Qendror Zgjedhor, për të regjistruar personat që fatkeqësisht mund të jenë të infektuar me Covid-19, ata që janë në karantinë apo izolim të detyruar, si dhe të kujdeset për përditësimin e listës së këtyre votuesve në kohë reale. KQZ duhet të ndërmarrë procedurat e duhura që personave të izoluar/karantinuar t‘ju mundësohet pjesëmarrja në votim .

6-Takimet, konferencat dhe mbledhjet zgjedhore me mbi 10 persona të mbahen në formatin elektronik, për të evituar kështu kontaktet fizike mes elektoratit.

7-Personat mbi 65 vjeç, si dhe ato që vuajnë nga sëmundje shoqëruese, t’i shmangin aktivitetet parazgjedhore, pasi sipas OBSH-së konsiderohen si më tepër të riskuar nga virusi COVID-19.

Është momenti i duhur për të treguar që të gjithë bashkë, do mund t’ja dalim, të luftojmë këtë pandemi.

Ju jeni faktorë të rëndësishëm në dinamikën e shoqërisë shqiptare dhe kjo sjell përgjegjesi ligjore e morale ndaj popullësisë që kërkon vëmëndjen dhe angazhimin tuaj në mbrojtjen e shëndetit e të jetës së tyre.

Lutemi të merrni në konsideratë kerkesën tonë e të mos harroni se një popull i shëndetshëm është celësi për një të ardhme të mbarë, për të gjithë.

Me respekt,

Mjekë shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë

Dr. Arjola Ustalli, mjeke pneumologe, Itali
Dr. Arvena Hila, mjeke reumatologe, Itali
Dr. Drilon Cupi, mjek internist-mjek urgjence, Gjermani
Dr. Elona Cekani, mjeke onkologe, Zvicër
Dr. Eni Dragoj, PhD, mjeke kardioanesteziste, Itali
Dr. Erjon Panajoti, mjek anestezist, Shqipëri
Dr. Ilir Halili, mjek pneumolog, Shqipëri
Z. Indrit Seferi, Specialist i Shëndetit Publik
Dr. Roland Jovani, mjek pneumolog, Francë
Dr. Rubjona Xhani, mjeke neurologe, Itali
Dr. Vjosana Gosnishti, mjeke specializante në Obstetrikë-Gjinekologji, Gjermani
Dr. Xhuljeta Treska, mjeke neurologe, Gjermani

*Tiranapost.al.