Aktualitet

Zv.ambasadori i ri amerikan në Tiranë, flet shqip: Pres me padurim të zbuloj shtëpinë tonë të re

Zv.ambasadori i ri amerikan në Tiranë, flet shqip: Pres me padurim

Ambasada Amerikane në Tiranë, ka prezantuar me një përshkrim të shkurtër dhe një foto në rrjete sociale zv.ambasadorin e ri që do vijë në Tiranë.

Ai është Demian Smith dhe është diplomat karriere. Shqipërinë e vizitoi për herë të parë në 1997-ën, si turist dhe sot tregon se mezi pret të rikthehet në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipërinë që e quan shtëpinë e tij të re. Demian flet edhe shqip, veç disa gjuhëve të huaja që zotëron.

Biografia e tij e plotë:

Një diplomat amerikan karriere, Demian Smith nisi detyrën si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Shqipëri, në korrik 2021. Më parë, ka shërbyer si Zv. Ambasador në Detyrë dhe Këshilltar Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e SHBA në Uellington, Zelandën e Re, duke mbikëqyrur partneritetin tonë të ngushtë dhe ndihmuar në udhëheqjen e Misionit të SHBA-së përgjatë sulmeve të tmerrshme terroriste në xhaminë Christchurch dhe një shpërthimi vullkanik.

Më parë, ka shërbyer si Shef Kabineti i Këshilltarit të Departamentit të Shtetit, duke menaxhuar projekte të veçanta diplomatike për Sekretarin e Shtetit John Kerry. Detyrat e tij në Uashington përfshijnë Ndihmësin e Posaçëm në Zyrën e Çështjeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe Kabinetin e Planifikimit të Politikave të Sekretarit. Jashtë vendit, ai ka shërbyer në Tailandë, Serbi dhe Indi.

Demian është aktiv në përpjekjet për këshillimin dhe rekrutimin e të rinjve në Departamentin e Shtetit, me një fokus të veçantë në komunitetin hispanik, si dhe është anëtar i Këshillit të Punonjësve Hispanikë të Agjensive të Punëve të Jashtme. Ai flet shqip, serbisht dhe spanjisht, si dhe pak frëngjisht dhe gjermanisht.

Para punës së tij në Departamentin e Shtetit, ai ka qenë drejtor në Këshillin Atlantik, mësues në shkollë të mesme, shofer autobusi shkolle dhe kuzhinier në një restorant teatroje me tematikë mesjetare.

Me origjinë nga Virginia Beach, Virginia, Demian është diplomuar në Kolegjin William & Mary dhe Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes. Demian dhe gruaja e tij Susanne Sell kanë tre fëmijë energjikë dhe dy mace qimegjatë.