Aktualitet

Zvicra miraton marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë

Zvicra miraton marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me

Parlamenti zviceran ka miratuar marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë, e cila u firmos në Tiranë më 18 shkurt të këtij viti.

Marrëveshja mundëson trajtim të barabartë dhe akses në përfitime sociale për qytetarët e të dy vendeve.

Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në Facebook.

Kryeministri po ashtu njofton se shumë shpejt do të votohet edhe në Parlamentin Italian.

“Parlamenti zviceran miratoi me 129 vota pro marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë, e cila u firmos në Tiranë më 18 shkurt të këtij viti.

Faleminderit Qeverisë Zvicerane, parlamentarëve zviceranë dhe padiskutim ekipeve teknike të përbashkëta, të cilat punuan pa u lodhur për këtë marrëveshje të shumëpritur për shqiptarët që punojnë e kontribuojnë në Zvicrën mik.

***Kryeministrja Giorgia Meloni më premtoi pardje në Tiranë, se shumë shpejt do të votohet në parlamentin italian edhe marrëveshja e shumëpritur me Italinë”, u shpreh Rama.

Çfarë parashikon marrëveshja Shqipëri- Zvicër

Me 18 shkurt 2022, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe Ministri zviceran për Çështjet e Brendshme, Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, Alain Berset, nënshkruan një marrëveshje për sigurime shoqërore, e cila lehtëson trajtimin e barabartë dhe qasjen ndaj përfitimeve sociale për qytetarët e të dy vendeve.

Marrëveshja e re dypalëshe formalizon marrëdhëniet e sigurimeve shoqërore midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Ajo mbulon sigurimet për moshën e tretë, si dhe për mbijetuesit dhe invalidët, dhe përputhet me standardet ndërkombëtare për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh gjatë nënshkrimit të marrëveshjes vullnetin dhe angazhimin e dy qeverive për thellimin e bashkëpunimit dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

“Zbatimi i marrëveshjes do të ketë efekt financiar për shtetasit shqiptar në momentin kur ata të kenë mbushur moshën për pension, kur lind dhe e drejta për përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore. Janë afërsisht 2,000 shtetas shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë në Zvicër, pa përfshirë shtetasit shqiptarë me shtetësi të dyfishtë. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet”, tha Ministrja.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përmirëson mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë që kthehen në vendin e tyre. Ajo kontribuon për forcimin e marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe midis Shqipërisë dhe Zvicrës”,- tha Ministri zviceran për Çështjet e Brendshme, Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, Alain Berset.

Marrëveshja siguron që shtetasit zviceranë dhe shqiptarë të marrin trajtim të barabartë përsa i përket të drejtave për sigurime shoqërore, lehtëson qasjen ndaj këtyre përfitimeve dhe lejon që pensionet të paguhen edhe jashtë vendit.

Ajo gjithashtu vendos themelet për një bashkëpunim dypalësh për të luftuar mashtrimet dhe abuzimet me sigurimet shoqërore. Së fundmi, marrëveshja lehtëson lëvizshmërinë e shtetasve zviceranë dhe shqiptarë dhe i mbron ata ndaj kontributeve të dyfishta të sigurimeve shoqërore.

Marrëveshja do të hynte në fuqi sapo të miratohej nga parlamentet e të dy vendeve. Fillimisht marrëveshja është votuar në parlamentin shqiptar. Me votimin në parlamentin zvicerian, marrëveshja tashmë ka hyrë në fuqi.