Art dhe Kulturë

Bauman, një intervistë që na sqaron pse jemi vetëm. Çfarë i ka ndodhur dashurisë dhe historive të gjata

“Ne nuk po e njohim më gëzimin e gjërave që zgjasin, fryte të punës sonë”. Sociologu i madh shpjegon se si marrëdhëniet sot janë zëvendësuar nga “lidhjet”. Dhe shton: “Çdo marrëdhënie është e veçantë: nuk mund të mësojmë se si të dashurojmë”. Ndërsa një lidhje mund ta ndërpresim kur të duam, si një lojë. Por, që të krijojmë miqësi offline duhet të përpiqemi shumë”.

Bauman, një intervistë që na sqaron pse jemi vetëm.

Intervistë e gazetares së La Repubblica, Raffaela De Santis marrë sociologut dhe filozofit polak Zygmunt Bauman.

Intervista titullohet: Emocionet kalojnë, ndjenjat duhen ushqyer…

Të dashurojmë dhe të qëndrojmë së bashku për të gjithë jetën. Dikur, disa breza më parë, jo vetëm që kjo gjë ishte e mundur, por ishte edhe rregull shoqëror. Sot, përkundrazi, një marrëdhënie e tillë është shndërruar në diçka të rrallë, në një zgjedhje për t’u patur zili, siç mund të mendojnë disa, ose dhe e çmendur, si mund të mendojnë disa të tjerë. Zygmunt Bauman i është rikthyer disa herë kësaj çështjeje (e trajton edhe në librin e tij të fundit Gjëra të përbashkëta, botuar nga Laterza). Studimet e tij përmbajnë analiza për mënyrën se si përjetohen marrëdhëniet: sot jemi të ekspozuar ndaj mijëra tundimeve dhe, megjithëse besnikëria nuk është më rregull si dikur, të paktën shërben për të mbrojtur ndjenjat nga humbja e tyre e menjëhershme për shkak të konsumit. Vepra e tij Dashuri e rjedhshme, e botuar në vitin 2013, bazohet në këtë koncept, në përplasen e dëshirës sonë për të provuar emocione të reja me nevojën për dashuri të vërtetë.

Çfarë na shtyn të jemi gjithnjë në kërkim të lidhjeve të reja?

Ne kemi gjithnjë nevojë të dashurojmë dhe të na dashurojnë, të gjejmë një lloj ekuilibri brenda vetes, por nuk jemi kurrë të sigurt se e marrim deri në fund kënaqësinë. Dashuria e rrjedhshme është pikërisht kjo: një dashuri e ndarë midis dëshirës për emocione dhe frikës nga marrëdhënia.

Pra, jemi të dënuar të përjetojmë lidhje të shkurtra ose të jemi të pabesë…

Askush nuk është « i dënuar ». Ne ndodhemi përballë mundësish të ndryshme, mes të cilave na takon vetë të zgjedhim. Disa përzgjedhje janë më të lehta, të tjera përmbajnë më tepër rrezik. Ato që na duken më pak të mundimshme janë më të lehta, në krahasim me ato që kërkojnë përpjekje dhe sakrificë.

Megjithatë, me gruan tuaj Janina, e cila u nda nga jeta dy muaj më parë, ju keni përjetuar një dashuri të gjatë.

Dashuria nuk është një send i paketuar dhe i gatshëm për përdorim. Ajo i besohet kujdesit tonë, ka nevojë për përpjekje të përhershme, të rigjenerohet, të rikrijohet dhe të ringjallet çdo ditë. Besomëni, dashuria na e shpërblen këtë vëmendje në mënyrë të mrekullueshme. Për sa më takon (dhe shpresoj se kështu ka qenë edhe për Janinën) mund të them se shija e dashurisë sonë përmirësohej me kalimin e viteve, si ajo e verës.

Sot, gjatë jetës, jetojmë më shumë lidhje. Jemi më të lirë apo më të trembur?

Liria dhe siguria janë të dyja vlera të nevojshme, por janë dhe në konflikt mes tyre : çmimi që duhet të paguajmë për një siguri të madhe është ai i një lirie më të vogël, ndërsa çmimi i një lirie më të madhe është siguria më e vogël. Shumica e njerëzve kërkojnë të gjejnë ekuilibrin, përpjekje pothuajse gjithnjë e kotë.

Por, ju u plakët sëbashku me gruan tuaj: si e përballuat mërzitjen e përditshmërisë ? Mos ka dalë- jashtë mode “të plakesh sëbashku?”

Sot është jashtë mode perspektiva e plakjes, sepse është identifikuar me pakësimin e mundësive të zgjedhjeve dhe me mungesën e « gjërave të reja ». “Gjërat e reja», që janë ngritur në shkallën më të lartë të hierarkisë së vlerave në shoqëritë e konsumit, quhen sot si sekreti i lumturisë. Përpiqemi të mos e lejojmë më rutinën, sepse, që fëmijë, jemi mësuar të marrim në duar sende “përdore dhe hidhe” , që zëvendësoheshin menjëherë. Nuk e njohim më gëzimin e gjërave të qëndrueshme, fryt i mundimit dhe i punës sonë skrupuloze.

Pra, kemi arritur në pikën që i kemi shndërruar dhe ndjenjat në mallra. Si mund t’ia kthejmë përsëri tjetrit veçantinë e tij ?

Në nevojën tonë të dëshpëruar për dashuri tregu ka nuhatur mundësinë për përfitime të jashtëzakonshme. Dhe na josh me premtimin se mund të kemi gjithçka pa u lodhur: kënaqësi pa punuar, fitime pa sakrifikuar, rezultate pa mundim, njohje pa ndonjë proces të thelluar. Dashuria kërkon kohë dhe energji. Por, sot të dëgjojmë njeriun që duam, të kushtojmë kohë për të ndihmuar tjetrin në momente të vështira, të plotësojmë dëshirat dhe nevojat e tij më shumë se sa tonat, tingëllon e panevojshme: për të plotësuar mungesën tonë të mëshirës, miqësisë dhe vëmendjes na duket e mjaftueshme blerja e dhuratave në një shitore. Por, ne mund të blejmë gjithçka, por jo dashurinë. Nuk e gjejmë dot dashurinë në një shitore. Dashuria është si një fabrikë që punon njëzetekatër orë pa ndërprerje, në të shtatë ditët e javës.

Ndoshta ne shkojmë nga lidhja në lidhje për të shmangur rreziqet e dashurisë, sikur « sasia » do të na mbronte nga ekskluziviteti i dhimbshëm i raporteve të gjata.

Po, kështu është. Kur ajo që na rrethon bëhet e pasigurt, na tërheq iluzioni se po të kemi shumë « zgjedhje të dyta », do të çlirohemi nga dhimbjet që na shkakton gjendja ku ndodhemi. Të shkojmë nga një vend në tjetrin (një gjë shumë premtuese, se nuk e kemi provuar akoma) na duket më e lehtë dhe joshëse se sa të stërmundohemi gjatë për të riparuar papërsosmëritë e banesës aktuale, që ta shndërrojmë atë nga një vend ku vetëm jetojmë në një shtëpi të vërtetë. Edhe « dashurisë ekskluzive » nuk i mungojnë pothuajse kurrë dhimbjet dhe problemet – por gëzimi gjendet te përpjekja e përbashkët për t’i kapërcyer.

A mund t’i rezistojmë kësaj bote plot me tundime? Dhe përse?

Duhet një vullnet shumë i fortë për të rezistuar. Emmanuel Lévinas flet për « tundimin e tundimit ». Ajo që ne dëshirojmë në të vërtetë është gjendja e « të qenit i tunduar », jo objekti që tundimi na premton të na dhurojë. E dëshirojmë atë gjendje sepse e thyen pak rutinën. Në çastin kur tundohemi na duket sikur jemi të lirë : po shohim përtej rutinës, por nuk i jemi dorëzuar akoma tundimit, nuk e kemi arritur akoma pikën e jo- kthimit. Në çastin tjetër, po u dorëzuam, liria shuhet dhe zëvendësohet nga një rutinë e re. Tundimi është një grackë në të cilën priremi të biem me gëzim dhe me vullnetin tonë të lirë.

Por, ju shkruani : « Askush nuk përjeton dot dy herë të njëjtën dashuri dhe të njëjtën vdekje. Dashurojmë vetëm një herë në jetë?

Nuk ekzistojnë rregulla. Çdo dashuri, si dhe çdo vdekje, është e veçantë. Për këtë arsye, askush nuk “mund të mësojë” si të dashurojë, ashtu si askush nuk mund « të mësojë si të vdesë ». Megjithëse shumë prej nesh ëndërrojnë ta bëjnë dhe ka dhe që përpiqen ta mësojnë edhe duke shpenzuar para.

Në vitin 1968 thuhej: “Duam gjithçka dhe menjëherë ». Dëshira jonë për të marrë kënaqësi të shpejta është bijë e kësaj periudhe?

Viti 1968 mund të ketë qenë një pikënisje, por përkushtimi ynë ndaj marrjes së kënaqësisë së menjëhershme edhe pa patur një marrëdhënie, është produkt i tregut, që diti si të kapitalizojë mënyrën se si ne duam të jetojmë të tashmen.

Mos janë pengesë sot “marrëdhëniet njerëzore” në këtë botë që konsumon gjithçka?

Ato janë zëvendësuar nga” lidhjet”. Marrëdhëniet kërkojnë kohë, ndërsa « të lidhemi» e « të shkëputemi » na duket si lojë fëmijësh. Në Facebook mund të gjejmë qindra miq vetëm duke lëvizur gishtin. Por, që të krijojmë miqësi offline duhet të përpiqemi shumë. Atë që fitojmë me lehtësi (e që e ngatërrojmë me lirinë) e humbasim tek siguria.

Keni kaluar ndonjë krizë ju dhe Janina?

Po si mund të ndodhte ndryshe? Por, që në krye ne vendosëm se qëndrimi së bashku, edhe pse i vështirë, është pa krahasim më i mirë se alternativa tjetër. Pasi e merr këtë vendim si një sfidë për t’u përballur, ia del edhe krizës më të madhe bashkëshortore. Ai është krejt i kundërt me deklaratën më pak të rrezikshme: Të bashkëjetojmë e pastaj të shohim si do të shkojë...”. Në rast të tillë, edhe një keqkuptim merr përmasën e një katastrofe, të pasuar nga tundimi për t’i dhënë fund historisë, për të braktisur njeriun që të duket me të meta, për të kërkuar kënaqësi në drejtim tjetër.

Dashuria juaj ishte dashuri me shikim të parë?

Po, nëntë ditë pas takimit tonë të parë i bëra propozimin për martesë dhe ajo pranoi. Por, u desh shumë kohë, plot 62 vjet, që dashuria jonë të rritej e të rronte gjatë.

(1) Zygmunt Bauman (1925 – 2017) është sociolog dhe filozof polak, që, i ndëshkuar nga regjimi komunist, jetoi më pas në Angli. Baumani është një nga teoricienët e sociologjisë më të njohur në botë dhe ka shkruar shumë vepra mbi çështje të modernitetit, Holokaustit, konsumizmit post-modern dhe mbi modernitetin e rjedhshëm, koncept që ai e lidh me paaftësinë e këtij të fundit për të administruar ndryshimin e tij të vazhdueshëm.

(2) Baumani në këtë libër shtjellon konceptin e modernitetit të rjedhshëm, të dashurisë së brishtë, ku njeriu nuk mund të ketë marrëdhënie të qëndrueshme. Autori përdor mbiemrin “liquid” në anglisht për të shprehur paqëndrueshmërinë dhe brishtësinë e modernitetit dhe të lidhjeve njerëzore në të./ Copyright Tiranapost.al