Art dhe Kulturë

“Finalmente Elsa”… vjen me një koncert të madh në Tiranë

“Finalmente Elsa”… vjen me një koncert të madh

Tirana zhurmoi për një kohë të gjatë, prej koncerteve të vogla e të mëdha, të rrymave e stileve të ndryshme muzikore, të këngëtarëve shqiptarë e me famë ndërkombëtare. Vapa e gushtit u duk sikur e tulati dhe e vuri disi në qetësi këtë kryeqytet të madh, ku me sa duket muzika do të nisë të luhet e të tingëllojë sërish.

Por në morinë e koncerteve që do të nisin, njëri do të jetë padiskutim krejt ndryshe. Ndoshta sepse do të jetë ai koncerti, që si pa e ditur as vetë, e kemi pritur prej kohësh të ndodhë një ditë, këtu në Tiranë.

“Finalmente, Elsa” do të titullohet koncerti që do të na sjellë, në 1 nëntor, në Pallatin e Kongreseve ajo vajza e “lotit”, pas së cilës një herë e një kohë u marros i madh e i vogël, këngëtarja që na bëri të ndjeheshim krenarë ndërsa prezantohej si e para shqiptare që ngjitej në skenën e Sanremos, artistja që na ka qetësuar mendjen e shpirtin me melodinë e zërit e të këngëve të saj e që na ka bërë të besojmë, deri edhe një vit më parë kur u rikthye në skenën e Festivalit të RTSH-së, se muzika e vërtetë mund të krijohet e të këndohet me mjeshtëri ende.

Mund ta themi pa pikë dyshimi se do të jetë spektakolar po aq sa dhe melodioz, ky koncert i Elsa Lilës që vazhdon të sfidojë çdo ditë veten dhe kohën, me atë që di të bëjë më mirë, që s’e tradhëton kurrë e që e ka kultivuar edhe më fort me rrethin e artistëve, me të cilët bashkëpunon prej vitesh në Itali, që kanë zgjedhur gjithëaq të bëjnë muzikën që u përket, atyre e një pjesë të madhe të kësaj shoqërie.

Tani, po guxon të vijë, bashkë me ata, për këtë koncert të madh, në Tiranën e saj, aty ku nisi gjithçka e ku ka ndjerë çdo herë, në çdo kohë, dashurinë që publiku ka për gjithë vlerat artistike që ajo vazhdon të përcjellë, përmes botëkuptimit, zërit e tingujve të saj. Që këtë herë do t’ua sjellë në një koncert live, në çdo tingull, nga fillimi deri në fundt, që do të jetë i gjithi i saji, konceptuar me një program special muzikor. Për ta bërë Tiranën të zhurmojë fuqishëm në rrjedhën e këtij sezoni të ri, nga tingujt e saj.