Art dhe Kulturë

Flutura Açka tregon dashurinë për repin dhe një bisedë me djalin e ndjerë: Uroj që profecia e tij të plotësohet

Flutura Açka tregon dashurinë për repin dhe një

Mund të duket e habitshme, por shkrimtarja Flutura Açka është e pasionuar dhe dëgjon shumë rep. Në këtë shije të saj ka ndikuar edhe djali i saj i ndjerë, Jerini, i cili pas repit pëlqente poezinë. Në një bisedë në emisionin “Provokacija”, Açka tregon një nga parashikimet e djalit të saj, se do t’i vijë dita edhe reperit të njohur Kendrick Lamar për të fituar një çmim me rëndësi si, Nobel.

Pjesë nga deklarata e Flutura Açkës:

Repi i Kosovës është një muzikë e natyrshme dhe një pjesë e tyre është një muzikë shumë e bukur. Dhe këtë e kam mësuar prej tim biri, ai më ka dhënë leksione për repin e Kosovës dhe më shpjegonte kadencat, se unë nuk e kuptoja, madje pati një moment që edhe po më bezdiste se isha e imponuar nga kjo lloj muzikë. Unë vonë e kuptova që pas kësaj është poezia dhe im bir pëlqente poezinë. Por u kthye në trend dhe tani është prishur thelbi i asaj nga e ka pasur burimin. Është dëmtuar. Kënga e fundit që kam dëgjuar me tim bir dhe thërrisnim me zë të lartë “I vogël” nga Ledri Vula. Po ta dëgjosh atë këngë ti kupton që është një poezi shumë e bukur pas kësaj. Më thoshte djali për Kendrick Lamar, kur e mori Nobelin Bob Dylan më tha: ‘Ma do të vijë dita edhe për Kendrick Lamar’. Uroj që profecia e tim bir të plotësohet.