Art dhe Kulturë

'Gjithçka që ke', thrilleri shqiptar që po mban mbërthyer lexuesit

'Gjithçka që ke', thrilleri shqiptar që po mban

Në aktivitetin e promovimit të librit më të ri të tij, "Gjithçka që ke", të organizuar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, tek Instalacioni REJA, autori Enkelejd Lamaj, diskutoi mbi romanin, bukuritë dhe vështirësitë e të shkruarit, si dhe sfidat e tij letrare.

“Gjithçka që ke” është një roman thriller, nga ata që do t'ju përndjekë shumë kohë pasi ta keni mbaruar së lexuari. Detajet e ndjesive fizike dhe imagjinata e mrekullueshme e autorit, përgjatë gjithë faqeve të romanit, janë plot terror dhe frikë. Pjesë të librit janë jashtëzakonisht tronditëse, por autori lëviz nëpër këto territore si të jetë në shtëpinë e tij, kurse lexuesi e ndjek, hap pas hapi, si të jetë në shtëpinë e vet... por natën, me drita të fikura dhe me një teh të mprehtë, që qëndron pezull në ajër, gati për qëlluar, ja tani, ja pastaj.

'Gjithçka që ke', thrilleri shqiptar që po mban

Adelina Hoxhaj është një shkrimtare. Sidorela Eljezi është një gazetare. E para ka një problem, e cila e fut në një situatë nga e cila ajo nuk e di se si dhe nga kush duhet të shpëtojë. E dyta ka një ambicie. Mes tyre, statistika nuk gënjen: Tirana nuk e ka pasur kurrë më parë një vrasës serial. TANI E KA. E quajnë Flutura e Zezë dhe është një vrasës i paskrupullt, që hyn në shtëpitë e viktimave dhe i masakron, duke i gjymtuar në mënyra mizore. Por... ai nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ai nuk lë rehat as të vdekurit. Firma e tij: një flutur e zezë e fiksuar në gozhdë, mu në qafën e viktimës. Dhe, teksa frika dhe terrori ulen këmbëkryq mbi kryeqytet, një seri zbulimesh, hap pas hapi, do të ngrenë dyshimin se vrasësi mund të jetë KUSHDO. Dhe mund të jetë shumë më pranë nga sa mund ta mendosh. Për ta gjetur e për ta ndalur, dikush duhet të kërkojë në skutat më të errëta të kujtimeve dhe të shkelë në rrugët më të përhumbura të së kaluarës, pavarësisht frikës se ato të shpien drejt një fundi shkatërrues.

'Gjithçka që ke', thrilleri shqiptar që po mban

"Gjithçka që ke" është një roman i zgjuar, që pothuajse krijon një dhimbje fizike nën lëkurë. Personazhet kryesorë janë, në dukje të thjeshtë, por, në fakt janë të komplikuar dhe tërësisht magjepsës. Lamaj shkruan me fjali të sakta, që mblidhen dhe derdhen në një mjedis gjithnjë në evoluim. Lexuesit e vjetër të tij do të mirëpresin këtë roman, që pavarësisht se i përket zhanrit thriller, nuk i braktis asfare elementët e horrorit, që enden në atmosferën e pothuajse krejt ngjarjeve të romanit, me të gjitha bukuritë dhe brutalitetin e tyre, ashtu si veç Enkelejd Lamaj di t'i rrëfejë.