Art dhe Kulturë

Hapen aplikimet për Çmimin Kadare 2023. Ja cilët janë anëtarët e jurisë së këtij edicioni

Hapen aplikimet për Çmimin Kadare 2023. Ja cilët janë

Poetë, shkrimtarë, gazetarë e pedagogë. Është ky përfaqësimi i jurisë së re të Çmimit Kadare, duke përfshirë jo vetëm breza të ndryshëm, por edhe emra nga trevat, ashtu si edhe vetë konkursi është i hapur për autorë nga e gjithë bota shqipfolëse.

Natasha Lako, poete e skenariste e njohur, është në rolin e kryetares së jurisë, e cila do të përzgjedhë fituesin për vitin 2023. Jurisë i është bashkuar gazetari Alfred Peza, i cili gjithashtu është i njohur në botën e letrave si autor i një sërë romanësh, gazetari nga Shkupi Nazim Rashidi, Ermir Nika shefi i Departamentit të Arteve të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës dhe pedagogia Irena Myzeqari.

Me mbledhjen e jurisë mori jetë zyrtarisht edhe konkursi për edicionin e tetë të Çmimit Letrar “Kadare”, më prestigjiozi për prozën shqipe, i cili edhe këtë vit do ta vlerësojë fituesin me 10 mijë euro.

Jo vetëm vlera monetare, por siç e do tradita e këtij çmimi, vepra fituese do të botohet nga shtëpia botuese UET PRESS, në kolanën “Leteratura”. Po ashtu autori do të përfshihet në një tur të gjatë leximesh e promovimesh të librit, në të gjithë Shqipërinë.

Aplikimet për këtë edicion janë të hapura deri më 17 janar të vitit 2023, ku autorët e interesuar mund të dërgojnë 15 faqet e para të veprës në dorëshkrim dhe një përmbledhje të shkurtër të saj.

Juria do të përzgjedhë mes garuesve dhjetë më të mirët, që do të jenë edhe pretendentët për çmimin e madh.