Art dhe Kulturë

Ilustruesja Ledia Kostandini nderohet nga bordi ndërkombëtar i librit për fëmijë, me imazhet e botuara në Shqipëri

Ilustruesja Ledia Kostandini nderohet nga bordi ndërkombëtar i librit

Ledia Kostandini është përzgjedhur nga bordi ndërkombëtar për librat për fëmijë dhe të rinj IBBY për ilustrimet e saj në botimin "Supa magjike e Dragoit" të autoreve Stela Mcconaghy dhe Matilda Vangjeli, botuar nga Shtëpia Botuese Mediaprint.

"IBBY Honour List” - Lista e Nderit e Bordit Ndërkombëtar për Librat për fëmijë dhe të Rinjtë, është një aktivitet i përdyvitshëm që vlerëson shkrimtarë, ilustrues dhe përkthyes të spikatur nga vende anëtare të kësaj liste. Kjo Listë Nderi është një nga mënyrat më të efektshme të Bordit Ndërkombëtar për Librat për të Rinjtë për të nxitur dhe çuar më tej mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar përmes letërsisë për fëmijë. Titujt përzgjidhen nga juritë kombëtare, të cilat propozojnë një libër për secilën nga kategoritë në fjalë.

Katalogu dhe librat do të paraqiteshin për herë të parë gjatë Kongresit/Takimit të tridhjetë e shtatë të Bordit Ndërkombëtar të Librit për të Rinjtë, që do të mbahej në Moskë shtatorin e vitit të shkuar. Fatkeqësisht, për shkak të pandemisë, ky Kongres/Takim u shty për datat 10-12 shtator, 2021. Po kështu librat do të ekspozoheshin në stendën e Bordit Ndërkombëtar të Librit për Fëmijë gjatë panairit të Librit në Bolonjë në vitin 2021, por panairi nuk arriti të realizohej. Të gjithë këta libra do të ekspozohen dhe do të prezantohen zyrtarisht gjatë muajit shtator në Moskë. Në pamundësi të promovimeve në aktivitetet e parashikuara bordi u ka kërkuar të gjithë autorëve, ilustruesve dhe përkthyesve të përzgjedhur për vitin 2020 të dërgojnë një foto të tyre bashkë me librin e përzgjedhur! Në websajtin e tyre IBBY ka ekspozuar me foto dhe ka bërë një përmbledhje për tu njohur me krijuesit e këtyre librave të mrekullueshëm! Mes tyre spikat dhe ilustruesja jonë e talentuar Ledia Kostandini.

tiranapost.al