Art dhe Kulturë

Jo vetëm në botë, edhe në Shqipëri eventet kulturore po mbahen online

Jo vetëm në botë, edhe në Shqipëri eventet kulturore po

Jo vetëm në botë, edhe në Shqipëri po organizohen aktivitete kulturore në kushte të vështira. Pas Festivalit të RTSH-së, edhe Çmimet KULT do të mbahen online.

Ky 16-vjetor i gjeti në ditë të jashtëzakonshme, megjithatë puna ka nisur. Juria e përbërë me 184 anëtarë ka bërë përzgjedhjen dhe shumë shpejt pritet të shpallen të nominuarit e këtij viti.

Këtë vit pjesë e Çmimeve “KULT” janë 11 kategori arti, për të cilat do shpallen fituesit: Artisti Pamor i Vitit, Libri Artistik i Vitit, Libri Studimor i Vitit, Përkthimi më i Mirë i Vitit, Regjisori më i Mirë i Vitit, Aktori i Vitit, Aktorja e Vitit, Balerini i Vitit, Instrumentisti i Vitit, Interpretuesi Lirik i Vitit dhe Kënga e Vitit.

Në konkurrim janë 370 autorë me librin e tyre artistik, 57 autorë me libra studimorë dhe 130 përkthyes të librave më të mirë botërorë, nga të cilët do të shpallen 6 të nominuar për çdo kategori.

Janë 45 artistë pamorë, 39 regjisorë në garë për shfaqjet e tyre, 173 aktorë dhe 93 aktore, të cilët konkurrojnë për Çmimet “KULT”. Gjithashtu janë 24 balerinë, 370 këngëtarë, 50 instrumentistë dhe 51 interpretues lirikë në garë për t’u shpallur më i miri.

Shumë shpejt pritet të shpallen edhe 6 të nominuarit për çdo kategori e më pas fituesit e Çmimeve “KULT”.