Art dhe Kulturë

Këshilla e një shkrimtareje për fëmijët: Më e rëndësishmja është të luani, mos nxitoni të rriteni

“Ka diçka të fundit që dua t’i them të gjithë fëmijëve: Mos nxitoni. Sido që të jetë, një ditë do të rriteni. Mundohuni të luani sa më shumë, mundohuni ta bëni sa më pak pyetjen: “Çfarë do të bëhem kur të rritem?” Jetoni momentin në të cilin jeni. Dhe në fund të ditës, pasi të keni luajtur dhe keni dëshirë të pushoni, lexoni një libër. Për kënaqësinë tuaj. Fundja, përse nuk do të duhej që edhe ju të përkëdheleni nga një histori e bukur?”

Këshilla e një shkrimtareje për fëmijët: Më e

Nga Frida Nilsson/ Një fëmijë që lexon do të bëhet një i rritur që lexon. Një fëmijë që lexon, mëson. Një fëmijë që lexon është investim. Sa herë që flitet për arsyet për të cilat fëmijët duhet të lexojnë, thuhet se nëse nuk kemi lexues fëmijë sot, nuk do të kemi lexues të rritur nesër. Thuhet se fëmijët duhet të lexojnë për t’u bërë dikushi që nuk janë ende. Unë do të doja t’ju propozoja një këndvështrim tjetër. Një i rritur lexon për kënaqësi. I rrituri përkëdhelet me një histori të bukur sepse një histori e bukur i gudulis mendjen, e tërheq lexuesin në aventurë.

Akti i leximit dhuron kënaqësi. Përse një fëmijë nuk do të duhej të lexonte për të njëjtën arsye? Përse mbi fëmijën rëndon pesha e ndryshimit të kërkuar? Besoj se kjo i detyrohet mënyrës se si pjesa më e madhe e jona e sheh fëmijërinë: e shohim thjesht si një parathënie të jetës, e asgjë tjetër. Për mua, fëmijëria ka qenë një kohë me shumë forcë. Mund të bëja ç’të doja dhe dilja fitimtare nga çdo sipërmarrje e imja. Si ka mundësi? Isha mjaft me fat që kisha një nënë dhe një baba që njihnin vlerat e lojës dhe më linin të luaja. Nuk e pyesnin veten: “A do të sjellë loja diçka të vlefshme në jetën e kësaj vajze?!” Nuk më kanë larguar nga aventurat e mia, as ma kanë hequr shpatën nga dora për të më thënë “Nëse do të ndryshosh diçka në jetë, lëri këto gjëra pa kuptim dhe mëso si bëhen gjërat në të vërtetë”.

Libri im i fundit titullohet “Shpata prej druri” dhe tregon historinë e një fëmije me emrin Sasja. E ëma po ndërron jetë dhe kur Vdekja vjen me një anije të madhe për ta marrë me vete, Sasja nuk pranon. Ai do ta mposhtë Vdekjen dhe të ketë gjithmonë pranë mamanë e tij. Kështu vjedh barkën me rrema të fqinjëve dhe fillon të ndjekë anijen. Gjatë udhëtimit nëpër mbretërinë e Vdekjes, Sasja merr një leksion të madh mbi vdekjen, por edhe një akoma më të madh mbi jetën. Vdekja nuk është një figurë shumë e dashur, por ka shumë eksperiencë. Ka përjetuar gjithçka që mund të mendojë një njeri, prandaj na njeh mjaft mirë. Madje ka edhe një kopsht të bukur me mollë dhe pemë të tjera, ku Sasja kënaqet duke luajtur me shokët që ka takuar gjatë udhëtimit. Luajnë me shkopinj që i gjejnë në tokë, duke bërë sikur janë shpata. Vdekjes i pëlqen shumë t’i shohë teksa luajnë. I thërret pranë vetes dhe i thotë: “A e dini, ekziston një vend ku fëmijët e kanë me nxitim.” Me nxitim nga çfarë, pyesin ata? “Nxitim për të mos qenë më fëmijë. Dhe ky vend është ai nga vjen ti, Sasja.” (Dhe natyrisht i referohet botës njerëzore). Dhe vazhdon: “Në të vërtetë nuk varet nga fëmijët, jo, përgjithësisht varet nga prindërit.” Ky është thelbi. Fëmijërinë jo gjithmonë e shohim me respekt. Ne prindërit duam që fëmijët tanë të ndryshojnë, të përmirësohen. I dërgojmë në shkollë, në leksione kërcimi, kitare, futbolli, në kurse shkrimi kreativ, duam t’i vëmë në provë për të parë përparimet e tyre.

Sipas meje, për një fëmijë nuk ka asgjë më formuese se loja. Asgjë nuk është më e rëndësishme për vetëbesimin e tij, se sa loja. Kur luaja, unë isha mbretëreshë. Vendosja rregullat, bëja planet dhe gjithçka shkonte siç dëshiroja. Kur loja përfundonte, ikja si fituese. Loja më ka mësuar empatinë, sepse përjetoja ndjenjat e shumë njerëzve të tjerë.

Provoni ta shihni fëmijërinë si një epokë të artë të jetës. Kohën kur kemi qenë fëmijë, mendojeni si kohën më të kompletuar të jetës sonë. Nëse përpiqemi ta shohim kështu, do t’i japim më shumë vlerë lojës. Do të mësojmë që fëmijët nuk duhet të lexojnë për t’u bërë diçka apo dikushi në jetë.

Si ia bëj unë që të rri e mbërthyer pas fëmijërisë? Epo shkruaj. Për fëmijët. Vizatoj veten time, fëmijën që isha dikur. I mbaj për dore dhe kërkoj të arrij dyert e dhomave të tyre. Më mjafton një fije spangoje për t’u futur brenda.

Ka diçka të fundit që dua t’i them të gjithë fëmijëve: Mos nxitoni. Sido që të jetë, një ditë do të rriteni. Mundohuni të luani sa më shumë, mundohuni ta bëni sa më pak pyetjen: “Çfarë do të bëhem kur të rritem?” Jetoni momentin në të cilin jeni. Dhe në fund të ditës, pasi të keni luajtur dhe keni dëshirë të pushoni, lexoni një libër. Për kënaqësinë tuaj. Fundja, përse nuk do të duhej që ju të përkëdheleni nga një histori e bukur?/Frida Nilsson është ndër shkrimtaret më të rëndësishme për fëmijë. Ajo është nga Suedia dhe ka fituar shumë çmime ndërkombëtare, ndër të cilët “August Prize”, “German Youth Literature Prize” dhe “Astrid Lindgren Prize”. Krahasohet vazhdimisht me Roald Dahl dhe Barbro Lindgren. Shkrimi u përkthye nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al