Art dhe Kulturë

Konkursi i yjeve botërore të Operës gati për skenën e Tiranës

Konkursi i yjeve botërore të Operës gati për skenën e

Gjithçka është gati për të pritur në Tiranë edicionin e njëzetë të Festivalit Ndërkombëtar Të Vokalit Operistik "Marie Kraja", që do të zhvillohet në Tiranë në datat 28-29 Mars.

Konkursi i yjeve botërore të Operës gati për skenën e

Gjashtëmbëdhjetë konkurrentë, nga e gjithë bota do të garojnë për të marrë çmimin që mban emrin e themelueses së operës shqiptare "Marie Kraja". Ata do të gjykohen nga një juri ndërkombëtare, e përbërë prej disa prej drejtuesve të operave të mëdha evropiane, menaxherë artistikë nga më të rëndësishmit, duke u dhënë pjesëmarrësve mundësinë të bëjnë hapa të vlefshëm në karrierën e tyre të ardhshme

Në edicionin e tij të njëzetë festivali "Marie Kraja" është bërë i kërkuar për artistët e rinj nga e gjithë bota, duke u renditur në festivalet më të preferuara për nga niveli i organizimit, i shoqëruar dhe nga orkestra e Radio Televizionit Shqiptar dhe një transmetim të drejtëpërdrejtë në Telezionin Kombëtar Top Channel.

Konkursi i yjeve botërore të Operës gati për skenën e

Në natën e parë, 27 mars, pa praninë e publikut këngëtarët do të konkurojnë vetëm përpara jurisë, ku në qetësinë e duhur do të vlerësohen teknikisht. Kurse dy netët e tjera do të jenë të ndërtuara në formën e spektaklit, i cili në sajë të bashkëpunimit me Top Channel, gjatë të dyja netëve do të mund të shijohet nga të gjithë, me regjinë e Redi Trenit. Dirigjenti i orkestrës dhe gjithashtu Drejtor Artistik i Festivalit vjen nga Anglia dhe edhe për këtë vit është i mirënjohuri Martin Andre, tashmë një nga emrat bazë të festivalit. Për të prezantuar Festivalin rikthehet edhe njëherë sopranoja e njohur shqiptare Enkeleda Kamani, e cila e ka këtë Festival si biletën e saj të fatit, ku pas fitores në vitin 2015 iu hapën dyert e skenave të mëdha evropiane. Tani rikthehet jo vetëm si prezantuese, por dhe për të kënduar. Ashtu si vitin e shkuar do të shoqërohet në prezantim nga gazetari dhe moderatori i njohur Blendi Salaj ndërsa Vikena Kamenica, përveçse anëtare jurie, do t’i bashkohet Blendit për të komentuar performancat e finalistëve.

Konkursi i yjeve botërore të Operës gati për skenën e

Këngëtarët lirikë do të konkurojnë në dy disiplina: gara e arieve dhe ajo e këngës. Këngët lirike, më të njohurat e më të dashurat e repertorit botëror dhe shqiptar do të vijnë në formën e dueteve. Natën e parë duetet do t’i realizojnë me njëri tjetrin, kurse në finale ata do të këndojnë me artistët të të njohur të muzikës së lehtë shqiptare. Emra të njohur si Eneda Tarifa, Elhaida Dani, Kamela Islamaj, Venera Lumani, Lind Islami, Era Rusi, Kejsi Tola dhe Enxhi Nasufi do të këndojnë krah këngëtarëve operistikë në garë dhe pa dyshim kjo është një nga pjesët që mezi po priten nga publiku i këtij festivali.

Përveç misionit të tij kryesor, garës dhe promovimit të talenteve të reja, festivali "Marie Kraja" është dhe dy netë koncertore për t'u shijuar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Konkursi i yjeve botërore të Operës gati për skenën e

Një juri prestigjioze

Juria është e përbërë nga: Cecilia Gasdia, Drejtore e Përgjithshme dhe Drejtore Artistike e “Arena di Verona Foundation” (kryetare e jurisë); Zana Çela, Presidente and Themeluese e “Marie Kraja”; Alessandro Ariosi, President i “Ariosi Artists Management” Los Angeles; Christoph Seuferle , Drejtor i Deutsche Oper of Berlin; Tobias Hasan, Drejtor i Staatsoper Unter Den Linden, Berlin; Karen Stone, Presidente e “Opera Europa”, Bruksel; Julia Lagahuzère, Drejtore e Pergjithshme e “Opera for Peace”, Paris; Erik Malmquist, Casting Manager i “Bayerische Staatsoper”, Munich; Ervis Gega, Drejtore Artistike e Fondacionit Villa Musica Rheinland-Pfalz; John Allison, Editor i Opera Magazine, Londër dhe Vikena Kamenica Mezzosoprano në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.