Art dhe Kulturë

Kryeministri dedikim për Arlinda Dudajn: Grifshës që ka bërë të flasin shqip plot kalorës të huaj

Kryeministri dedikim për Arlinda Dudajn: Grifshës që ka

Botuesja Arlinda Dudaj feston sot ditëlindjen dhe kryeministri Rama i ka dedikuar disa rreshta. Rama rrëfen bashkëpunimin me të për librin e tij "Kurbani" dhe vlerëson gjithë kontributin e Arlindës për botimin e kushedi sa titujve.
“Duke ia uruar ditëlindjen grifshës që ka bërë të flasin shqip plot kalorës tërheqës të letrave të huaja dhe ka nxjerrë në driten e botimit lëvrues të mirë të gjuhës sonë të bukur, uroj njëkohësisht që shembulli i saj e i të tjerave si ajo në çdo fushë, të frymëzojë sa më shumë gra e vajza që të ecin pa u dorëzuar në rrugën e ambicieve të tyre”, shkruan kryeministri ndër të tjera.

Kryeministri dedikim për Arlinda Dudajn: Grifshës që ka

Postimi i tij i plotë:

ARLINDA DUDAJ është botuesja e një morie librash, ndër të cilët edhe "Kurbani" im, që më dha mundësinë t'ia njoh nga afër zellin e saj për cilësinë e botimeve që bën, në një industri si ajo e librit ku falë një dore botuesish të zellshëm, lexuesi ka mundur në tërë këto vite të marrë kënaqësinë e të shijuarit në shqip të plot e plot autorëve të huaj, si edhe të shqipshkruesve të të gjitha gjeneratave.

Grifshë e paepur dhe profesioniste e palodhur, Arlinda i ka mbijetuar me pasion e vullnet të madh një tregu aspak të lehtë, pa bërë kompromise në dëm të cilësisë së botimeve të saj, që shpesh janë sfida dukshëm të vështira në aspektin komercial. Në një botë ende shumë mashkullore si kjo e jona, ajo i përket kategorisë së grave të forta të kësaj kohe plot kundërshti e pengesa të vjetra dhe të reja për gruan, të cilat përtej vetes e familjes, me punën e tyre japin edhe shembujt frymëzues të suksesit të mundshëm për të gjitha vajzat e gratë e këtij vendi. E kam parë Arlindën në ditë të bukura të karrierës, kur, për shembull, në Panairin e Librit shembja e stendës nga dyndja e lexuesve për të blerë "Kurbanin", shoqërohej me të qeshurat me lot dhe në ditë të zymta kur lotët i shoqëronin pesimizmin e një momenti të keq për shtëpinë e saj botuese. Por s'e kam parë kurrë të dorëzohet e t'i nështrohet tundimit për të zgjedhur një rrugë më të lehtë, duke bërë kompromis me pasionin e saj të furishëm për të shtuar vargun e librave që i pëlqejnë, pavarësisht stresit shpeshherë të skajshëm të një fushëbeteje ku çdo ditë fantazma e riskut komercial, sfidon forcën e shijeve personale.

Duke ia uruar ditëlindjen grifshës që ka bërë të flasin shqip plot kalorës tërheqës të letrave të huaja dhe ka nxjerrë në driten e botimit lëvrues të mirë të gjuhës sonë të bukur, uroj njëkohësisht që shembulli i saj e i të tjerave si ajo në çdo fushë, të frymëzojë sa më shumë gra e vajza që të ecin pa u dorëzuar në rrugën e ambicieve të tyre.
#TëRRALLË