Art dhe Kulturë

Kush ishte Antonio Bellusci, Ati që përjetësoi kulturën arbëreshe

Kush ishte Antonio Bellusci, Ati që përjetësoi kulturën

Një figurë e shquar, e dashur, e shenjtë për shqiptarët u largua dje fizikisht nga kjo botë. At Antonio Bellusci, në moshën 90-vjeçare u nda nga jeta si pasojë e luftës së vazhdueshme me një sëmundje.

Ato që ka bërë për Shqipërinë, për arbëreshët, për rrënjët, ato mbeten. Ndaj në ikjen e tij po sjellim një rikujtesë të veprave që ka lënë.

At Antoni, ishte i biri arbëresh i një endëseje të talentuar dhe një bariu të Kalabrisë.

Ishte dëshira e tij për shkollën, për dijen që e bëri babain e tij të gjente mënyrën për të siguruar një vend për shkollimin e tij. Ndryshe nga sa shoqëria mund të kishte pritur, djali i një bariu të bëhej bari.

At Antoni u fut në karrierën kishtare në seminarin Pontefik Gregorian të Romës, ku më 1958 mori bakaloreatin në filozofi dhe, po në të njëjtin universitet, më 1962 mori licencën e teologjisë së shenjtë. Dhe u bë bari, por bariu shpirtëror i njerëzve.

Duke lexuar veprën e tij, Revistat “Lidhja”, “Shejzat”, “Vatra jonë” arbëreshët dhe arvanitasit mësuan për gjuhën shqipe, veshjet, vendbanimet dhe etninë.

At Antoni e mblodhi vetë çdo detaj, çdo fjalë, çdo gjë, cep më cep trojeve shqiptare dhe u sigurua ta transmetonte dhe trashëgonte atë.

“Me Shqipërinë mëmë më lidh matronimia (himarjote), me arvanitasit më lidh patronimia, me Arbëreshët më lidh vendlindja ime, ndërsa me Kosovën ideja e lidhjes vëllazërore shqiptare!”, thoshte At Antonio dhe kjo e shpjegon misionin e tij.