Art dhe Kulturë

Letra e aktorëve të Teatrit Kombëtar drejtuar Ramës për t`iu rritur rrogat: Do presim deri në 31 gusht

Letra e aktorëve të Teatrit Kombëtar drejtuar Ramës për

Emra të njohur të Teatrit Kombëtar, artistë rolesh protagoniste i kanë drejtuar një letër kryeministrit Rama dhe ministres së Kulturës për të rishikuar pagat e tyre.

Prej kohësh çështja e pagesës së artistëve të teatrit është parë me skepticizëm dhe pakënaqësi nga artistët, të cilët thonë se pavarësisht numrit të roleve, shfaqjeve, nivelit të vështirësisë së veprës, biletave të shitura, ata paguhen me një rrogë bazë.

Këtë herë shkak për kërkesën e tyre është bërë rritja e pagave të artistëve të TKOB me vendim të Këshillit të Ministrave. Aktorët e Teatrit në letrën e tyre shprehen se u vjen mirë për kolegët e TKOB, por do të donin të mos diferencoheshin, siç nuk janë diferencuar deri para pak kohësh.

Për problemin e sistemit të pagesës, ka folur edhe Olta Daku në podcastin me Mira Kazhanin:

“Kur kam hyrë në teatër ka qenë një politikë e tillë që për çdo rol të ri që bëje në sezon, ti merrje një pagesë ekstra. Ndërsa tani, nuk e mbaj mend sa vite ka, që është hequr. Domethënë ti mund të bësh katër role, apo pesë, apo një dhe ti merr thjesht rrogën. Është një ndjesi që duket sikur… “Hej, pak se po merr rrogën, por do dhe shpërblim”. Pra, po bëhet çfarëdo lloj gjëje që të jetë e mundur që artistit t`i hiqen të gjitha përfitimet që mund të ketë. Ne jemi në një pikë që kur na ftojnë në një eveniment apo në ndonjë vend ne na kap sikleti se çfarë do veshim. Edhe u biem telefonave, e rroba borxh, edhe bëhemi një lëmsh i madh, sepse ky është realiteti”, tha Olta Daku, një nga aktoret që ka firmosur edhe kërkesën ndaj kryeministrit.

Edhe regjisori dhe aktori Indrit Çobani në podcastin “Bosët e duartrokitjeve” tha:

"Paratë e mbledhura nga biletat i kalojnë buxhetit të shtetit dhe përdoren për shpenzimet publike. Ka një përqindje të ulët, shumë të ulët, që në dijeninë time i kthehet teatrit. Nuk jam shumë i saktë në këtë, po me ç`di unë, një përqindje shumë e ulët i kthehet teatrit për shërbime operative, por aktorët, regjisorët, ata që bëjnë shfaqjen, nuk kanë asnjë… Ata janë në një marrëdhënie buxhetore, mujore, rroge”, tha Indriti që shtoi se megjithë pagesave të ulëta, artistët i gëzohen çdo duartrokitjeje.

“Duartrokitja është si oksigjeni. Është tamam si ai momenti kur hap dritaren dhe të vjen ai ajri i freskët. Është një gjë që ti e ndjen në të gjithë qenien tënde. Tamam kështu është edhe duartrokitja. Si kur të vjen ai afshi, ajo freskia…”.

Në kërkesën e publikuar sot për rishikim të pagës, kanë firmosur artistë si Ndriçim Xhepa, Arben Dërhemi, Dritan Boriçi, Anila Bisha, Naun Shundi, Eriona Kakeli, Elia Zaharia, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Ina Gjonçi, Niada Saliasi e shumë të tjerë.

Letra e aktorëve të Teatrit Kombëtar drejtuar Ramës për

Letra e aktorëve të Teatrit Kombëtar drejtuar Ramës për

Për të parë videopocastet e plota të Indrit Çobanit dhe Olta Dakut

Dokumenta bashkëngjitur