Art dhe Kulturë

Ndërron jetë mjeshtri i valles popullore, Besim Zekthi

Ndërron jetë mjeshtri i valles popullore, Besim Zekthi

Ka ndërruar sot jetë mjeshtri i valles popullore shqiptare Besim Zekthi.

Zekthi ishte 84 vjeç. Ai shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët që i dhanë Shqipërisë Gjerdanin e Artë në festivalin e Dizhonit, në Francë në vitin 1970.

Lajmin e ndarjes nga jeta e dha mbesa e tij, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Njoftimi nga mbesa e tij, gazetarja Megi Mëhilli:

Me hidhërim të thellë më duhet t’ju njoftoj për ndarjen nga jeta të artistit Besim Zekthi, gjyshit tim.

Ai do të jetë gjithnjë në zemrën e gruas së tij që i shërbeu deri çastin e fundit, të tre vajzave të tij, nipërve e mbesave dhe stërnipit të tij që të gjithë e shikonin me dashuri e adhurim.

Fjalët janë të tepërta për një artist si Besimi, që gjithë jetën, mundin e djersën ja kushtoi këtij vendi dhe punoi që me artin e tij ta ngrinte Shqipërinë në sytë e një bote të tërë. Fatkeqësisht, edhe vitet e fundit të jetës i kaloi duke kërkuar mirënjohjen e vlerësimet që meritonte por Shqipëria e la në harresë e asnjëherë nuk ia dha.

Por shpirtin e kishte të mbushur nga njerëzit e tij të afërt dhe aty ai do të vazhdojë të jetojë, gjithmonë i dashur dhe i butë edhe pse me pamje kolosi të pamposhtur, gjyshi im, artisti i merituar dhe nderi i kombit, por mbi të gjitha krenaria jonë, Besim Zekthi. Do të na mungosh shumë, u prehsh në paqe!

Për varrimin dhe vizitat do t’ju njoftojmë!