Art dhe Kulturë

Nga skenat e mëdha, në sallonet e shtëpive. Sa ka artistë, shfaqje ka akoma

Nga skenat e mëdha, në sallonet e shtëpive. Sa ka artistë,

Arti është zhvendosur. Nga teatrot e mëdha e skenat gjigande, në sallonet e shtëpisë. S'ka më prozhektorë, s'ka orkestra të mëdha e spektatorë, por ka ende duartrokitje për gjithë artistët që s'u rrinë duart e mendja pa punë. Që i kanë kthyer dhomat e shtëpive të tyre në skena, e që vazhdojnë të na ushqejnë shpirtin edhe në këtë kohë absurdi që po jetojmë. Këto ditë kemi parë plot realizime këngësh nga artistë shqiptarë me emër e famë që ngjitin copëzat e muzikës dhe këngëve kënduar nga shtëpitë dhe shpërndahen me shpejtësinë e erës nëpër rrjet. I radhës vjen nga Brukseli. Një poezi e shkruar nga Luan Rama që i rri aq për shtat një kohe "shtetrrethimi". Aktorja me zërin gjithë forcë nën hijen e flakëve të oxhakut është Anila Dervishi, që reciton "Shtetrrethimin" nën tingujt e violonçelit të Olsi Lekës dhe pianos së Peter Caelen. Janë emra shqiptarësh të skenave të mëdha, në pritje për t'u rikthyer sërish atje ku e kanë vendin. "Është një kohë tjetër, pa ngjyrë..." por fatmirësisht plot me artistë që kanë mbyllur brenda katër mureve trupin, por kurrsesi shpirtin.

Shijoni balsamin e radhës, krijuar në distancë.

Tiranapost.al