Art dhe Kulturë

Kam jetuar në vendin më të mirësjellshëm e prapë u ktheva në Atdhe

Kam jetuar në vendin më të mirësjellshëm e prapë u

Një bisedë mes konsullit François Pouqueville dhe një kalimtari (përmetar) me frëngjishte perfekte

Nga Mirela Kumbaro/ Për #Përmetin që nuk dimë

Shiko tani, se #Përmeti nuk është vetëm ç’të sheh syri sot, ujëra termale, lagje historike, kisha të bukura, gliko e raki, por nuk do mjaftojë asnjë nga promovimet që i bëjmë këtij qyteti e kësaj zone për të thënë se sa nur e fisnikëri kanë përmetarët. Në shekuj!

Dy shembuj më poshtë dhe fol vetë pastaj!

Unë mendoj se shumë pak është folur për vlerat historike të njerëzve të kësaj treve, është një thesar më vete për t’u zbuluar.

Shpesh herë për të njohur Shqipërinë kur Shqipëria nuk ekzistonte si shtet, domethënë kur ekzistonin shqipëtarët por jo Shqipëria, ne u referohemi udhëtarëve të huaj të cilët jo vetëm e kanë përshkuar vendin tonë por, për fatin tonë shumë të madh, edhe kanë shkruar e kanë botuar shënimet e tyre, që janë si burim uji në një tokë të tharë, sidomos kur flitet për shekullin XIX, periudhë nga e cila gjejmë shënimet më të rëndësishme, që s’kanë të paguar.

Dhe Përmeti është nga ato zona që ka tërhequr vëmendjen e tyre.
Ja ku sjell sot një foto të pikturës së hollandezit të famshëm për ne Edward Lear i cili nuk e la Përmetin jashtë bllokut të vizatimeve të tij, në prill të vitit 1857

Kam jetuar në vendin më të mirësjellshëm e prapë u
Piktura e Edward Lear, postuar nga Mirela Kumbaro

Por, edhe më interesante akoma është një fragment nga shënimet e udhëtimit të François Pouqueville, konsulli I parapëlqyer i Napolon Bonapartit pranë oborrit të Ali Pashait, në fillim të shekullit XIX, I cili tregon:

"Më në fund, gjysmë lege prej lumit që zbret nga Leusa, hymë në Përmet ku udhërrëfyesit e mi kishin dhënë porosi të gatitej një banesë te koxhabashi.
Po gëzohesha që gjendesha mes njerëzve, kur u shfaq një plak i nderuar që më përshëndeti në frëngjishte dhe me maniera aq të përkujdesura sa për një grimë mbeta pa i kthyer dot përgjigje. Meqë ishte shurdh nxori e vuri në vesh një kornet akustik me anë të të cilit munda të hyja në kuvendim me të. Me tregoi për udhëtimet e tij në Francë dhe për qëndrimin e tij në Paris. Kishte frekuentuar kafenenë “Prokop”, ku kishte njohur Diderot-in, Dalembert-in, Freret-in dhe burrat e letrave të shekullit të kaluar. Citonte vargjet e Racine-t, të Corneille-it, të Voltaire-it dhe, pa u shtirë aspak sikur qe njeri i shkencës, më dëshmoi se e njihte fort mirë letërsinë tonë...Kur më foli për Versajën dhe për mbretin e Francës nuk e mbajti dot mallëngjimin. Dhe kur shpreha habinë që ai, si kishte njohur Francën, kishte dashur të ngulitej në një vend barbar, m’u gjegj:

“Përmeti është vendlindja ime dhe njeriu i urtë e i kujdesshëm mund të jetë i lumtur kudo, ja ku jam vetë një shembull i pakundërshtueshëm. Kam parë qytetërimin më të shkëlqyer, kam jetuar te populli më i mirësjellshëm në botë, dhe megjithëkëtë desha e ktheva në atdheun tim”.

François-Charles-Hugues-Laurent Pouqueville
(Nga: Voyage de la Grèce par F.-C.-H.-L. Pouqueville, Deuxième édition revue, corrigée et augmentée, Tom. 1, Librairie Firmin Didot Père et Fils, Paris, 1826.)

Tiranapost.al