Art dhe Kulturë

Tregtia Elektronike e Suvenireve, si Pjesë e Trashëgimisë Kulturore - #KorçaMakerspace

Tregtia Elektronike e Suvenireve, si Pjesë e Trashëgimisë

Kur fondet e Bashkimit Europian marrin formë dhe trajtë, kur përdoren frytshëm dhe me efektivitet, gjenerojnë bërthama kreativiteti dhe novacioni, siç është rasti i #KorçaMakerspace, që për herë të parë po implementon në Shqipëri teknologjitë 3D në prodhimin e suvenireve.

Tregtia përkufizohet në mënyrë të thjeshtë si shkëmbim mallrash nga prodhuesit tek konsumatorët finalë. Përdorimi gjithnjë e më shumë i internetit në dekadat e fundit ka mundësuar shfaqjen e një lloji të ri të tregtisë të njohur si Tregti Elektronike. Bizneset sot po ndërthurin hapësirën fizike me atë virtuale. Kjo e fundit gjithnjë e më shumë po bëhet domosdoshmëri. Sipas Bashkimit Evropian, tregtia elektronike është një koncept që ka të bëjë me çdo formë të transaksionit të biznesit ose shkëmbimit të informacionit të ekzekutuar duke përdorur Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

Përdorimi i tregtisë elektronike sot është bërë domosdoshmëri për shkak të përfitimeve të mëdha që sjell për bizneset: zvogëlon kostot e transaksioneve duke eleminuar organizatat e ndërmjetme; rrit shpejtësine e qarkullimit të mallrave dhe të informacionit; përmirëson nivelin e shërbimit të klientit; thyen barrierat gjeografike duke zgjeruar gjeografinë e klientëve; zgjeron aksesin në tregjet ndërkombëtare etj.

Zhvillimi i internetit dhe teknologjia e informacionit kanë integruar brenda tyre edhe elementë të trashëgimisë kulturore, e cila përfshin pasurinë kulturore materiale dhe jomateriale, si një tërësi vlerash kulturore mbartëse të kujtesës historike dhe identitetit kombëtar. Suveniret, si pjesë e trashëgimisë kulturore, janë objekte që përfaqësojnë një vlerë të veçantë të një vendi të caktuar dhe shërbejnë si një kujtim për turistët që vizitojnë atë vend. Ato përmbajne motive të lidhura me trashëgiminë kulturore të një vendi dhe mundësojnë një kujtim sa më të gjatë të momenteve të përjetuara gjatë një udhëtimi. Suveniret duhet të jenë gjithëpërfshirëse për çdo vizitor; të rinj dhe të moshuar, gra dhe burra, për familjet dhe njerëzit e biznesit. Gjithashtu, ato duhet të jenë të një dimensioni relativisht të vogël, të përshtatshme për prodhimin masiv, të përgatitur specifikisht, estetikisht dhe të jenë relativisht të lira.

Sa më sipër gjejnë mishërim në produktet që krijohen në #KorçaMakerspace, një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Europian mes projektit #Phygital që do i japë një frymë dhe imazh të ri sektorit të prodhimit të suvenireve.

Përse blejmë suvenire?

Shumë turistë pëlqejnë të marrin me vete në shtëpi si një kujtim të udhëtimeve të tyre, diçka për të treguar se ku kanë qenë si dhe ta përdorin atë për të rikujtuar përvojën fantastike që patën gjatë pushimeve. Turistët gjithashtu priren të marrin shumë dhurata edhe për miqtë, të afërmit dhe kolegët e tyre të punës. Eshtë një mënyrë e bukur për të treguar që kanë menduar për ta, ndërkohë që kanë qenë larg me pushime. Ka disa prej nesh që thjesht nuk mund të rezistojnë të hyjnë në një dyqan dhuratash dhe të dalin që atje pa blerë diçka.

Sidoqoftë, suveniret nuk janë gjithmonë të lidhura me destinacionet. Shumë njerëz mbledhin kujtime të ngjarjeve të veçanta në jetën e tyre si dhe tregojnë mbështetje për ekipet e tyre të preferuara psh. të futbollit etj.

Tregtimi i suvenireve online

Në ditët e sotme, shumë individë i blejnë suveniret në internet nga shtepia, para ose pasi të udhëtojnë. Kjo ndodh kryesisht për shkak të rritjes së blerjeve në internet dhe disponueshmërisë së artikujve të tillë online. Kjo është një ide e mirë për ata që nuk duan të shkojnë në aeroport të ngarkuar me çanta. Porositja përmes internetit i lejon turistët dhe individët të shfrytëzojnë maksimalisht kohën e tyre të çmuar për pushime, pa e shpenzuar atë dyqaneve në përpjekje për të gjetur dhuratën e duhur me çmimin e duhur. Pasi udhëtimi të ketë mbaruar, mund të ndodhë që një suvenir shumë i dashur, ka humbur apo është dëmtuar gjatë udhëtimit. Blerja online e suvenireve ofron mundësinë për ta zëvendësuar atë dhe për të rifituar kënaqësinë që ka i falur turistit ai objekt.

Nëse i hedhim një vështrim tregut të suvenireve në rajonin e Korçës si rajon turistik, vihet re mungesa e një tregu unik (fizik dhe virtual) për suveniret dhe dhuratat e personalizuara. Ekzistojnë pak biznese ofruese të suvenireve, kryesisht nëpërmjet tregtisë tradicionale. Trashëgimia kulturore e Korçës përfaqësohet në një numër relativisht të kufizuar suveniresh, kryesisht punime industriale. Ofruesit e suvenireve dhe dhuratave të personalizuara kanë prezencë të kufizuar në rrjete sociale, kryesisht për reklamim dhe bërje porosie (facebook dhe instagram).

#KorçaMakerspace krijuar mes projektit #Phygital, si dhe kontributi i të gjithëve ne që jemi bërë pjesë e pandashme e këtij projekti, do të jetë një hapësirë kreative, që mes përdorimit të teknologjive të reja 3D, do u japë mundësi bizneseve të artizanëve dhe tregtisë së suvenireve t’u ofrojnë konsumatorëve shumëllojshmëri suveniresh, në forma unike, me emfazë Tregtinë Elektronike, për të mos mbetur vetëm brenda kufijve të qarkut, apo vendit.

Ekperiencë 3D, që për dimension të katërt ka këtë Makerspace të parin në lloj në Shqipëri.

Doc.dr. Marinela Teneqexhi

Dr. Elda Dollija

Universiteti “Fan S. Noli” Korçë