Art dhe Kulturë

Urimi i veçantë i vajzës së shkrimtarit Ismail Kadare për ditëlindje

Urimi i veçantë i vajzës së shkrimtarit Ismail Kadare

Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit të madh të letërsisë shqipe, Ismail Kadare ka publikuar sot në ditën e ditëlindjes së 87 të babait të saj një prej poezive më të njohura të tij, “Të huaj jemi”.

E bija e shkrimtarit të madh thotë se të risjellësh apo të rilexosh një prej veprave të një shkrimtari, është mënyra më e mirë për ta bërë atë të lumtur, qoftë edhe në ditën e tij të lindjes.

Dhe kështu bëri edhe ajo vetë!

Postimi i Besiana Kadare:

Mënyra më e mirë për të uruar një shkrimtar është të rilexosh/ zbulosh librat e tij. Me rastin e ditëlindjes së Kadarese sot, po ndaj me ju një nga poemat e mia të preferuara, shkruar në 1964:

Të huaj jemi

Të huaj jemi ne prej kohësh,

Ç'ish për t'u thënë është thënë,

Si gurët që zënë vend në tokë,

Në jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njeri-tjetrit kemi mbyllur

Të gjitha rrugët edhe shtigjet,

Si dy qytete mesjetare

Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën, kur i lodhuri truri,

Portat i mbyll me qetesi,

Ti gjen një shteg dhe futesh brenda,

Një shteg që vetëm ti e di.

Pastaj si në rrugica parqesh,

Shetit mes cirkovolucionesh,

Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,

Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Por kur mëngjesi zë afrohet,

Nis shqetësohesh befas ti,

Dhe heshturazi del përjashta

Nga shtegu, që del veç ti.

E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.

Dhe ne të dy si dhe më parë

Të ftohtë rrimë e të pamposhtur

Si dy qytete mesjetare.